Përpjekjet e intensifikuara për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mbi emrin e Maqedonisë, kanë rritur tensionet brenda politikës greke.

Kësaj here është një propozim i ministrit të mbrojtjes, Panos Kammenos, që i “ka hedhur benzinë zjarrit”.

Kreu i partisë së Grekëve të Pavarur, ka propozuar që në rast se emri i propozuar do të ketë fjalën Maqedoni, atëherë kjo zgjidhje do të duhet të shtrohet në referendum.

“Populli grek duhet të vendosë për këtë akt pa precedent në historinë e njerëzit”, nënvizon Kammenos në një artikull që publikohet të dielën në një prej gazetave të djathta.

Sipas tij, ky akt pa precvedent është “dhënia e historisë dhe kulturës së Greqisë një populli tjetër”.

“Një përfshirje eventuale e fjalkës Maqedoni në emrin e FYROM, do të thotë tkurrje e kulturës greke, e historisë, e filozofisë, e arteve etj., për shekujt e ardhshëm. Një vendim i tillë nuk mund të jetë në tagrin e çfarëdo politikani, të cilitdo nivel”, nënvizon më e Kammenos,  duke shënjestruar në mënyrë të tërthortë vetë kryeministrin.

Panos Kammenos është aleati i vetëm në koalicionin qeveritar që kryesohet nga kryeministri Tsipras.

Qëndrimet e tij për çështjen e emrit të Maqedonisë janë diametralisht të kundërta me atë të krahut të majtë të qeverisë, pavarësisht se ditët e fundit ministri i mbrojtjes ka shprehur se i beson pa rezerva kolegut të tij të punëve të jashtme Nikos Kotzias.

Veç të tjerash, pozicionimi i zotit Kammenos në favor të referendumit, bie ndesh edhe me vijën zyrtare të qeverisë Tsipras.

Janë pikërisht këto qëndrime të partisë "Grekët e Pavarur" që e bëjnë opozitën të deklarojë vazhdimisht se qeveria aktuale nuk gëzon më maxhorancën prandaj duhet të dorëhiqet e vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

/Ora News.tv/