Grabitja e miliona eurove, testohen transfertat e parave nga Rinasi

Grabitja e miliona eurove, testohen transfertat e parave nga Rinasi

Transfertat e parave të bankave të nivelit të dytë mbeten të bllokuara që prej grabitjes në aeroportin e Rinasit. Drejtori i Shoqatës së Bankave shprehet se janë në diskutime intensive për të gjetur një zgjidhje para nisjes së sezonit turistik pasi flukset e parave që duhet transportuar janë të mëdha.Ndërsa përsa i përket përdorimit të GPS dhe bojës ngjyruese Pedrazzi pranoi se bankat nuk i përdorin por sipas tij  kjo nuk e zgjidh problemin.

Grabitja e dytë ne aeroportin e Rinasit ka vënë në lëvizje strukturat e sigurisë dhe përfaqësuesit e bankave për të testuar masa të reja për të parandaluar ripërsëritjen.

Burimet kanë bërë të ditur se në varësi të testeve do të vendosen masat e reja.

Një prej tyre është dhe vendosja e efektivëve të policisë në monitorimin e kamerave të sigurisë.

Ndërkohë transferimi i parave përmes Rinasit është pezulluar prej datës 9 prill.

Drejtori i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, Silvio Pedrazzi, u shpreh se aktualisht janë në negociata  për gjetjen e një zgjidhje para verës kur shënohet një rritje e fluksit të monedhave të huaja në treg

Silvio Pedrazzi: Kur kompania na njoftoi se nuk do të bënte më transferta na zuri në befasi.Për momentin transferimi i parave është i ndërprerë. Mundësia e vetme teknike është që të transportojmë me automjete drejt Kosovës ose Greqisë. E vetmja gjë që mund të bëhet është të merren masat e duhura që të garantojnë sigurinë në mënyrë që linjat të rikthejnë transportin e parave.Tashmë jemi në diskutime intensive por duhet të kuptojmë që ato bëjnë transport njërëzish dhe atë kanë përparësi duhet të ndjehen shumë të sigurt për të vijuar me transportin e parave. Shpresojmë të gjejmë një zgjidhje para verës.

Përsa i përket masave të sigurisë Pedrazzi pranoi se jo të gjitha bankat e nivelit të dytë që transferojnë para përdorin bojë ngjyruese apo GPS.

Silvio Pedrazzi: GPS nuk është garanci sepse ai mund të hiqet nga grabitësit apo të çaktivizohet. Mesa di unë jo të gjitha bankat i përdorin GPS dhe bojën ngjyruese por e rëndësishme është që institucionet të bashkëpunojnë në tërësi dhe masat të zbatohen të mos mbeten në letër.

Bankat e nivelit të dytë në Shqipëri realizojnë transferta parash cash disa herë në muaj për faktin se në vend ka likuiditet me shumicë ndërkohë që tregu shqiptar mbetet shumë i vogël për ti përthithur.








EMISIONET