Google ndëshkohet me 5 miliardë dollarë

Google ndëshkohet me 5 miliardë dollarë

Komisioni Europian ndëshkoi gjigantin e kërkimeve në internet Google me gjobë rekord prej 4.34 miliardë eurosh, (5 miliardë dollarë)

Shkak janë Androidët. KE akuzon Google se ka abuzuar me sistemin operativ celular "për të çimentuar pozitën e saj dominuese të Android në kërkimet e përgjithshme në internet".

Komisionerja evropiane për Konkurrencë, Margrethe Vestager, tha se Google "ua ka mohuar konsumatorëve evropianë përfitimet nga konkurrenca efektive në sferën e rëndësishme mobile".

Po kështu Komisionerja e Konkurrencës tha sot se Google doli kundër rregullave të BE kur kërkoi që prodhuesit e telefonave celularë të instalonin paraprakisht Google Search dhe aplikacionet e shfletuesve si një kusht për licencimin e dyqaneve të aplikacioneve të Google. Ajo tha se Google gjithashtu i ka paguar prodhuesit e mëdhenj për të instaluar paraprakisht aplikacionin Google Search.

Në qershor 2017, rregullatorët gjobitën Google 2.42 miliardë euro (2.8 miliardë dollarë) për shkak se kishin favorizuar listat e saj të blerjeve në rezultatet e kërkimit.

Kompanisë aksionare në Google, Alphabet, i janë dhënë 90 ditë kohë për t'i ndryshuar praktikat biznesore - në të kundërtën, do të përballet me ndëshkime të tjera. 

Kompania, me qendër në Kaliforni, tha se do ta apelojë gjobën.

EMISIONET