Padia e Ballës, avokatët e Bashës:Informacioni nga një burim i sigurtë, s'na lejohet t'a tregojmë

Ka hyrë në fazën e konkluzioneve padia e deputetit të Partisë Socialiste Taulant Balla ndaj kryedemokratit Lulzim Basha.

Ndonëse të dy politikanët nuk u paraqitën në seancë, avokatët e tyre debatuan në lidhje me provat.

Sipas përfaqësuesve ligjorë të Lulzim Bashës, deklarata në Kuvend e Bashës u bë për të denoncuar një aferë korruptive ku segmente të lidhur me shtetin po bëheshin garant për një aktivitet kriminal.

Avokatët e Bashës nuk pranuan të tregonin se nga ishte marrë paraprakisht informacioni për sasinë e parave që u kap në "Toyota Yaris" në Durrës, por thanë se ishte burim i besueshëm dhe se nuk kishin autorizim që ta tregonin.

Në përfundim, mbrojtësit e kryedemokratit kërkuan që të pushohet padia e ngritur ndaj Bashës me argumentin se nuk ka shpifje.

Ndërkohë avokati i Taulant Ballës kërkoi kohë që të përgatisë argumentet e tij në lidhje me pretendimin e palës së paditur.

Seanca e radhës u la për në 20 nëntor, ku edhe Prokuroria pritet të japë pretendimet e saj në lidhje me këtë padi.

Kjo ishte seanca e parë që nuk u paraqit kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, kjo pasi në të njëjtën orë po zhvillohej dhe seanca e jashtëzakonshme parlamentare.






EMISIONET