Më 30 qershor qytetarët do të votojnë për të respektuar Kushtetutën dhe ligjshmërinë, deklaroi nga Himara drejtuesi politik i qarkut të Vlorës, Damian Gjiknuri.

Ndërsa prezantoi Jorgo Goron për një mandat të dytë, ai tha se bojkoti i zgjedhjeve nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj është thjesht frika nga rezultati i zgjedhjeve.

Gjiknuri: “Ne ofruam çdolloj alternative dhe Kryeministri Rama ka qenë i hapur për dialog për gjëra për të cilat mund të bëhet kompromis. Opozita e ndodhur në kushte paniku dhe duke mos dashur të përballet me zgjedhjet, për hallet e problemet e veta ka dal me kartën për të destabilizuar vendin. Përkundër thirrjeve ndërkombëtare për dialog dhe hyrje në zgjedhje, ata kanë zgjedhur rrugën radikale. Ne jemi të detyruar të shkojmë në zgjedhje sepse nuk ka mundësi tjetër.”

Drejtuesi politik i PS në Qarkun e Vlorës foli dhe për çështjen e zgjidhjes së problematikave me pronat, një ndër shqetësimet kryesore në Himarë.

Gjiknuri: “Sfida që mbetet është çështja e pronave dhe unë jam i azhornuar me këtë. Ligji i ri për kadastrën do të hapë hapësira të reja për të zgjidhur shumë probleme të trashëguara për pronën. Personalisht kam kontribuar për të sjellë disa shërbime në Himarë. Premtuam zyrën e Hipotekës dhe u realizua, zyra e shërbimeve të transportit u realizua. Ju e meritoni sepse është Bashki me potenciale të mëdha.”

Kryebashkiaku në detyrë, Jorgo Goro, i cili garon për një tjetër mandat, kërkoi votën e qytetarëve për të çuar përpara transformimin e nisur në këto vite.

Goro: “Do vazhdojmë të ndryshojmë infrastrukturën turistike si për ujin, ashtu sikurse me sheshet dhe shëtitoret siç është ajo e Borshit. Gjithashtu lidhja e gjithë Bashkisë dhe njësive të saj përmes Rrugës së Lumit të Vlorës. Do realizojmë atë që kemi premtuar, Bashkinë më të mirë turistike të Shqipërisë dhe zemrën e turizmit shqiptar.”

Zona e Himarës, vlerësoi drejtuesi politik i qarkut të Vlorës, Damian Gjiknuri është ndër përfituesit më të mëdhenj të investimeve deri më tani ndërsa në 4 vitet e ardhshme do të çohen përpara investime të reja.

 

/Ora News.tv/