Që prej disa ditësh, qytetarët grekë që mbërrijnë në aeroportet gjermane u nënshtrohen pritjeve të gjata, për shkak se autoritetet e sigurisë kontrollojnë letërnjoftimet e tyre.

Mes qytetarëve që fluturojnë nga Greqia për në Gjermani ka edhe shumë shqiptarë, që ose kanë marrë nënshtetësinë greke, ose përdorin lejen europiane të qëndrimit.

Sipas një burimi qeveritar nga Berlini, që citon radio Deutsche Welle, “fluturimet nga Greqia trajtohen njëlloj si të vinin nga Turqia apo Egjipti”.

Është fjala për një masë që nisi të zbatohet para disa ditësh dhe që Berlini e argumenton me luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe përballimit të terrorizmit.

“Ka emigrantë që tentojnë të futen në territorin gjerman me dokumente të falsifikuara që tregojnë se ata janë shtetas grekë”, i tha Deutsche Welle-s një burim nga ministria e brendshme në Berlin.

Sipas burimit, në periudhën janar – tetor në Gjermani kanë hyrë nga Greqia 1000 persona me dokumente identiteti të falsifikuara.

“Ky numër është shumëfish më i madh në raport me hyrjet e paligjshme në gjithë aeroportet e tjera të BE të marra së bashku”, deklaroi i njëjti burim.

Opozita greke dhe shtypi kritik ndaj qeverisë, vënë në dukje faktin se qytetarët grekë ende nuk po pajisen me dokumente biometrike identiteti, por mbajnë letërnjoftime të tipit të vjetër, që mund të falsifikohen lehtësisht.

Athina zyrtare ka protestuar për këtë vendim të qeverisë gjermane, që sipas palës greke, “e nxjerr Greqinë jashtë zonës Shengen”.

Këtij zhvillimi të ri i është referuar dhe komisioni europian, duke e justifikuar me masat e autoriteteve gjermane “për t’u ruajtur siguria e brendshme e vendit, ndërsa impakti në lëvizjen e lirë të njerzëve do të jetë i vogël”.

Situata problematike me kontrollet për qytetarët grekë, do të shqyrtohet në një takim tripalësh në Bruksel, midis qeverisë greke dhe asaj gjermane, si dhe përfaqësuesve nga Komisioni Europian.

/Ora News.tv/