Konservatorët e Angela Merkel dhe Social-Demokratët e Martin Shulc kanë gjetur kompromisin për të krijuar qeverinë e re të Gjermanisë, 4 muaj pas zgjedhjeve federale. Rezultati i jep fund pasigurisë politike që kaploi vendin, teksa ka optimizëm se qeveria e re do të jetë tërësisht funksionale në fillim të muajit prill.

Katër muaj pas zgjedhjeve federale, Gjermania do të ketë një qeveri të re. Konservatorët e Angela Merkel kanë arritur akordin me Social-Demokratët e Martin Schulz, duke i dhënë fund ngërçit politik në vendin me ekonominë më të fuqishme në Bashkimin Europian.

Mediat gjermane raportojnë se marrëveshja për shpërndarjen e ministrive ka qenë një nga pikat e fundit të negociuara nga palët.

Që prej të martës në mëngjes, negociatorët e të dy forcave politike janë përfshirë në bisedime intensive, të cilat kanë prodhuar këtë rezultat të shumëpritur jo vetëm në Gjermani, por edhe më tej.

Sipas mediave, të vetmet pika në të cilat nuk ka ende një kompromis përfundimtar janë të drejtat e punëtorëve dhe kujdesi shëndetësor, megjithatë kjo nuk zbeh optimizmin se Gjermania do të ketë një qeveri në periudhën e Pashkëve.

Pas kësaj arritjeje, 460.000 anëtarët e Social-Demokratëve do të japin verdiktin përfundimtar nëse do të pranojnë marrëveshjen për koalicion përmes një votimi që do të ndodhë në javët në vijim.

Procesi i bisedimeve për të krijuar qeverinë e re gjermane ka qenë i gjatë. Kujtojmë se kancelarja Angela Merkel fillimisht tentoi një koalicion trepalësh me Demokratët e Lirë dhe të Gjelbrit, por negociatat dështuan për shkak të mosarritjes së akordit në çështje kyçe si emigracioni.

Social-Demokratët u tërhoqën nga refuzimi i tyre fillestar për të mos bashkëqeverisur sërish me Merkel, pas bllokimit të krijuar në vend nga tentativa e parë qeveri-formuese dhe për të shmangur përsëritjen e zgjedhjeve federale.

/Ora News.tv/