Gjermanët protestojnë për qiratë e larta, kërkohet shtetëzimi i apartamenteve

Gjermanët protestojnë për qiratë e larta, kërkohet

Qiratë e larta të apartamenteve, të rritura gati me dyfishin e çmimit në dekadën e fundit, detyroi të shtunën mijëra qytetarë gjermanë ta shprehin revoltën e tyre përmes protestave kudo nëpër vend.

Në sheshin "Aleksandër-plac" të Berlinit, organizatorët thanë se numri i demonstruesve arriti mbi 40 mijë, ndërsa grupe më të vogla u raportuan edhe në Kolonjë, Mynih dhe Frankfurt.

Pjesëmarrësit kërkuan shtetëzimin e rreth 250 mijë apartamenteve të zotëruara nga kompanitë private që kanë portofolin më të madh të pasurive të patundshme në vend.

Firmat imobiliare mendohet se nga viti në vit rritin artificialisht çmimet e qirave, veçanërisht në Berlin, duke përfituar nga bumi ekonomik dhe prurjet e huaja si pasojë e vendeve të lira të punës.

Debati për shtetëzimin e apartamenteve private është kritikuar si tejet ideologjik e madje kthim në socializëm nga kundërshtarët e lëvizjes, ndërsa realizimi i projektit vlerësohet se do të kushtonte rreth 30 miliardë euro.

Për të përmbushur qëllimin e tyre, organizatorët do i paraqitin një peticion me 20 mijë firma administratës së Berlinit dhe kanë paralajmëruar një referendum popullor nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

Qiratë mesatare për apartamentet në qendrën e kryeqytetit gjerman lëvizin nga 840 euro deri në 1.900 euro për muaj për apartamentet më të vogla, dhe janë 20 për qind më të larta nga viti i kaluar.Statistikat më të fundit tregojnë se 48 për qind e banorëve në Gjermani jetojnë në një apartament me qira, ndërsa pjesa tjetër e kanë blerë me financat e tyre.

EMISIONET