Mjeshtri i madh i humorit Gëzim Kruja festoi 60 vjetorin e daljes për herë të parë në skenë, me një shfaqje në teatrin “Migjeni” të Shkodrës.

Artisti i dhjetra roleve dhe karaktereve megjithëse në moshën 78 vjeçare, për asnjë moment nuk e ka humbur sharmin dhe elasticitetin në skenë.

Megjithëse vitet kanë kaluar ai nuk e ka humbur freskinë e humorit dhe për dy netë me radhë erdhi plot batuta e të qeshura përkrah kolegëve, mjeshtrit të madh Zef Deda e Drande Xhaj.

Gëzim Kruja: "Për mua populli është pasuria më e madhe e imja."

Por estrada e Shkodres sot është thuajse e gjitha e dalë në pension, ndonëse vijon të jetë aktive në skenë. Ky realitet u soll në skenë përmes një skeçi, që Gëzim Kruja dhe Drande Xhaj e përcjellin me shqetësim si fakt.

Drande Xhaj: "Jemi në gjendje të dalim në skenë, por më vonë duhet të na zëvëndësojë dikush. Prandaj duhet të afrohen sidomos në fushën e humorit sepse Shkodra pa humor nuk ka jetë."

Skenës nuk i munguan bashkë me humorin edhe këngët nga zërat më të njohur të Shkodrës.

/Ora News.tv/