Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi tha se nuk ka asnjë pakt Rama-Basha. I ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora, Bardhi u shpreh se nuk do të ketë pakt pa u plotësuar kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme

Beti Njuma: Presidenti la të kuptohet se ka sinjale për një pakt Rama-Basha. Është e vërtetë?

Gazment Bardhi: Nuk e kuptova kështu deklaratën e presidentit të republikës. Ajo që unë dua të konfirmoj është se nuk ka asnjë pakt dhe nuk do të ketë asnjë pakt pa u plotësuar kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk është çështje pakti mes dy individëve, por e parimeve dhe standardeve që të mos kemi më një krizë të tillë institucionale, kushtetuese, politike, përfaqësimi, siç e quan Presidenti në të ardhmen. Pra, do të duhet të jetë një zgjidhje e tillë që e fut Shqipërinë në një rrugë që të gjithë e dëshirojmë, anëtarësimin në BE. E dëgjova deklaratën e Presidentit, nuk e kuptova se ku e bazon informacionin se zoti Basha apo PD ka thënë që do të hapen negociatat. Askush nga PD, përfshirë zotin Basha, nuk e ka thënë këtë. Ne kemi thënë që PD dhe Opozita e Bashkuar do të donim të hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë, si një mundësi për t’I vënë fre kontrollit të kësaj qeverie apo për të patur më shumë ndikim në situatën e brendshme në Shqipëri. Ne lobojmë që të hapen negociatat, si aspiratë  e shqiptarëve për të qenë sa më parë pjesë e BE, por për shkak të sjelljes së kësaj qeverie, shanset vijnë duke u zvogëluar. Ishim me 5 kushte për hapjen e bisedimeve, kanë shkuar 7. Dhe të gjitha informacionet tona flasin që nga 7 mund të bëhen në 9 apo 10 kushte. Kjo tregon për hapa pas në procesin e negociatave me BE. Ne duam që të jetë një PO, se nuk është Po për qeverinë, është Po për shqiptarët, por të gjitha dyshimet tona janë se nuk ka për të patur një PO pa kushte. Pra, do të shtohen edhe më shumë kushtet.


/Ora News.tv/