Gazetarja e Kosovës, Arbana Xharra thotë se shumica e deputetëve që nuk votojnë demarkacionin kanë pasaportë shqiptare.

Në një status në FB, Xharra thotë se është një patriotizëm i rrejshëm “rruajtja e kufijve”, që po vazhdon ta vonojë liberalizimin e vizave për qytetarët.

Postimi i Arbana Xharrës në FB

Shumica e deputetëve që nuk e votojnë demarkacionin kanë pasaporta të Shqipërisë apo viza schengen dhe bredhin me paratë e qytetarëve nëpër Evropë e botë. E gjithë kjo maskaradë për gjoja "ruajtjen e kufijve" është një patriotizëm i rrejshëm, që po vazhdon ta vonojë liberalizimin për qytetarët tanë. Patriotizëm sot është çdo vendim që e bënë jetën më të mirë për qytetarë. Patriotizëm është hapja e perspektives për të rinjtë tanë, për të ardhmen e fëmijëve tanë. Çdo vonesë më tepër në ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi është kthim prapa në kohë. As politikanët, as deputetët si përfaqësues të popullit, s’duhet t’ua humbasin perspektivën qytetarëve tanë. S’duhet as t’ua humbasin edhe kushedi sa vjet për ta kamufluar qasjen e tyre joracionale, kur dihet paraprakisht edhe cili do ishte vendimi në arbitrazh rreth asaj vije kufitare. Mjafton të analizohet aktgjykimi i arbitrazhit për kontestin kufitar mes Sllovenisë dhe Kroacisë për ta kuptuar se cili do ishte vendimi për të. Mos e merrni në qaf një popull të tërë. Merrni vendim për popullin, jo për veten: votojeni demarkacionin!

/Ora News.tv/