Gati projekti i aeroportit të Vlorës, Rama: Punimet fillojnë pranverën e vitit 2020

Gati projekti i aeroportit të Vlorës, Rama: Punimet fillojnë

Aeroporti i Vlorës do të ndërtohet me fonde të buxhetit të shtetit dhe menaxhimin do ta marrë përsipër një shoqëri e hua. Pak para prezantimit të projektit nga kryeministri Rama, gazeta "Corriere della Sera", zbuloi se shoqëria italiane ‘Aeroporti di Puglia’ ka paraqitur interesin. Nuk ka hollësi se si u përzgjodh firma projektuese, ndaj dhe Partia Demokratike thotë se skema e përdorur është e ngjashme me atë për Teatrin Kombëtar.

Shoqëria italiane ‘Aeroporti di Puglia’ pret miratimin e kryeministrit Edi Rama për të fituar të drejtën e menaxhimit të aeroportit të Vlorës.

Përpara prezantimit të projektit të aeroportit të ri nga kryeministri shqiptar, gazeta "Corriere della Sera", zbulon se shoqëria italiane ka paraqitur interesin dhe reagimi i parë mund të vijë gjatë panairit Fiera del Levante.

Qeveria shqiptare i ndërpreu negociatat me bashkimin e kompanive turke Cengiz, Kalyon dhe Kolin Construction) për ndërtimin dhe menaxhimin e aeroportit, pasi palët nuk ranë dakord për garancitë që duhet të ofronte shteti shqiptar.

Kryeministri, Edi Rama, gjatë fjalës së tij, theksoi se aeroporti i Vlorës do të jetë më i madh se i Tiranës dhe do jetë shumë herë më shumë me standarde se ai i Rinasit, ndërsa punimet do të nisin në pranverën e vitit 2020.

Rama: Pranverën e viti 2020 fillon puna në kantier. Me kompaninë tonë ajrore që dhe ajo mori kohën ë saj për t'u vënë në vijë dhe për të filluar fluturime. Tmerri i biletave të shtrenjta të marrë fund një herë e mirë. Duhet pak durim dhe kohë në planin afat-mesëm. Sistemi i çmimeve do të normalizohet, se me ndërtimin e Aeroportit të Kukësit dhe Vlorës, do të ketë më shumë zgjedhje dhe mundësi.

Kryeministri tha se gjatë ndërtimit të aeroportit do të hapen njëmijë vende pune, ndërsa vepra e re do t'i japë fund "makthit" të çmimeve të larta".

Sipas projektit teknik, qeveria synon të arrijë një qarkullim vjetor prej 2 deri në 3 milionë pasagjerë në vit me fokus zhvillimin e turizmit në rajonin jugor të vendit.

Ndërkohë në një reagim Partia Demokratike tha se projektimi i Aeroportit të Vlorës është një aferë korruptive e Edi Ramës.

Sekretari për burime njerëzore, Ervin Minarolli, tha se qeveria nuk ka dhënë informacione mbi mënyrën se si është përzgjedhur firma projektuese dhe e krahasoi skemën me atë të përdorur edhe me Teatrin Kombëtar.

EMISIONET