Galeria Kombëtare e Arteve është në pritje të një drejtuesi të ri për 4 vitet e ardhshme. Ministria e Kulturës do duhet t’i propozojë një emër kryeministrit midis katër kandidatëve: Helidon Haliti, piktor, Kreshnik Xhiku dhe Artur Çela skulptorë dhe Erzen Shkololli, kurator nga Kosova, ish-drejtor i Galerisë Kombëtare në Prishtinë.

Futja në garë e Shkolollit dhe parashikimet në bazë të përvojës së tij konfimojnë se ai do të jetë drejtori i ri i këtij institucioni mjaft problematik, një kërthizë e kalbur e një sistemi inekzistent të artit bashkëkohor.

Si kurator i pavarur po edhe në nivel zyrtar, Shkololli ka bërë ndërmjetësin që artistët shqiptarë të ekspozojnë në Dokumenta vitin e kaluar, dhe një pamje nga realizmi socialist të prezantohet edhe në Kosovë.

Nëse ai vjen në krye të kësaj Galerie do duhet t’i dalë për zot: rikonstruksionit total të objektit me vlerë mbi 200 000 mijë uro; zgjidhjen e emergjencës për fondin e 5000 veprave të artit; ngritjen e buxhetit mbi 5 milionshin e tanishëm; shpëtimin e pseudoekspozitës ndërkombëtare “Onufri” nga kuratorët aventurierë; njohjes dhe promovimit të artistëve vendas; përtëritjes së stafit të galerisë me profesionistë; dhe jo më pak e rëndësishmja: funksionimi i galerisë si një institucion i mëvetësishëm dhe jo nën hijen e kryeministrit.

Të gjitha këto janë çështje që kërkojnë zgjidhje për hir të një publiku që galeria e ka humbur, për hir të një brezi që është rritur duke televizor dhe jo pikturë.

Çfarëdo që të thuhet sot për galerinë kombëtare është pa efekt sepse galeria sot manifeston një vend të kufizuar nga kontrolli shtetëror, një mekanizëm të depersonalizuar dhe mungesën e lirisë.



/Ora News.tv/