Posti i ministrit të jashtëm të Gjermanisë nuk do të mbahet më nga Sigmar Gabriel. Lajmi është konfirmuar nga vetë Gabriel, i cili përmes një postimi në Facebook është shprehur i nderuar për shërbimin e deritanishëm për kombin gjerman. Ndërkohë, qeveria e re e kancelares Angela Merkel pritet të betohet javën e ardhshme.

Sigmar Gabriel ka konfirmuar se ai nuk do të mbajë postin e ministrit të jashtëm në kabinetin e ri të kancelares Angela Merkel.

Gabriel, një ish-udhëheqës i Partisë Social-Demokrate, deklaroi se liderët e rinj të kësaj force, Olaf Scholz dhe Andrea Nahles i kanë komunikuar se ai nuk do të jetë pjesë e qeverisë që pritet të betohet javën e ardhshme.

Favoritë për këtë post janë Heiko Mass, që ka shërbyer si ministër i drejtësisë në koalicionin e mëparshëm dhe Katarina Barley, ministre e familjes me një interes të veçantë në çështjet europiane.

Duket se lëvizja nuk është surprizë, pjesërisht sepse është e ditur që Gabriel ka një marrëdhënie të tensionuar me Nahles.

Situata jo e mirë mes tyre nisi muajin e kaluar, kur Gabriel deklaroi se e kishte mësuar nga mediat lajmin se Martin Schulz do të merrte postin e ministrit të jashtëm.

Sidoqoftë, Schulz u tërhoq si nga roli ministror ashtu edhe nga ai i drejtuesit të Social-Demokratëve.

Në një deklaratë postuar në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, Sigmar Gabriel u shpreh mirënjohës dhe i nderuar që i kishte shërbyer partisë dhe vendit të tij.

Përpara se të mbante postin e ministrit të jashtëm, Gabriel shërbeu si ministër i ekonomisë, periudhë gjatë së cilës ai mbikëqyri reformat në energjinë e ripërtëritshme.

/Ora News.tv/