Futbolli shqiptar "heq" dorë nga policia, rendi dhe qetësia garantohet nga Security

Federata Shqiptare e Futbollit në vigjilje të nisjes së Kampionatit Kombëtar organizoi sot një tryezë bashkëbisedimi me përfaqësuesit e klubeve të Kategorisë Superiore. Nëpërmjet përfaqësuesve prezent në këtë tavolinë pune, klubet përcollën opinionet për tema të ndryshme, duke theksuar në angazhimin e tyre për një bashkëpunimin konstant.

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Shulku, që drejtonte edhe tryezën kërkoi nga klubet një komunikim të vazhdueshëm mes njeri-tjetrit, por edhe një bashkëpunim akoma edhe më të ngushtë me FSHF, për një ecuri pozitive gjatë javëve të kampionatit. Shulku insistoi gjithashtu që vetë klubet të punojnë shumë më tepër me tifozeritë e tyre respektive, pasi në fund të çdo incidenti të mundshëm që mund të vijë prej pjesës së tifozerisë, përgjegjësia dhe sanksionet do të rëndojnë mbi vetë ata. Një pikë shumë e rëndësishme e debatit dhe risjelljes, edhe një herë në vëmendje të klubeve ishte mosprezenca më e policisë së shtetit në stadium gjatë ndeshjeve, kjo edhe sipas amendimit më të fundit të Ligjit për Sportin.

Kompanitë private të Security-së janë ato që së bashku me klubet do të garantojnë rendin dhe qetësinë. Gjithashtu, sekretari Shulku kërkoi të merren masat për të pajisur me kamera sigurie ambientet e brendshme të stadiumeve, teksa theksoi që pikërisht në të tilla zona nuk duhet të qarkullojë asnjë person i paautorizuar dhe pa akreditimin zyrtar përkatës.

Po për këtë pikë shumë të rëndësishme, zv.presidenti i FSHF-së, Edvin Libohova, njëherësh edhe Kryetar i Komisionit të Garave, shtoi:

“Ky është një problem shumë i rëndësishëm dhe delikat. Siguria në stadium është një kusht absolut dhe që kërkon një angazhim maksimal. Kur ndodhin ngjarje të padëshiruara, atëherë as loja nuk ka më kuptim”. Gjithashtu zv.presidenti Libohova risolli sërish në vëmendje të klubeve edhe punën për ecurinë e deritanishme të procesit për krijimin e Ligës Profesioniste.

Nga ana tjetër përcollën opinionet e tyre edhe Shefi i Sektorit të Garave Nurishmi, Drejtori Juridik në FSHF, Aldi Topçiu, për pika që kanë të bëjnë direkt me mbarëvajtjen e garës, si edhe në lidhje me liçensimin e klubeve. Kjo tavolinë pune do të pasojnë të tjera, gjithmonë në fokusin e një komunikimi permanent me klubet për shqetësimet që ata kanë.

EMISIONET