Vjenë- Banka e Shqipërisë kërkon nga bankat private të mbështesin më fort zhvillimin e vendit, duke lëshuar më shumë kredi për firmat prodhuese. Guvernatori, Ardian Fullani, ka shfrytëzuar pjesmarrjen në forumin e 10-të Ekonomik të Vjenës për të kritikuar ashpër sjelljen e bankave të huaja në Shqipëri, të cilat sipas tij po dëmtojnë rëndë ekonominë shqiptare. “Rregullat mbikëqyrëse të BE-së dhe kërkesat për grupet financiare në lidhje me rrezikun, së bashku me qasjen në të cilën ato zbatohen, po vendosin shtrëngesa domethënëse mbi ekonomitë tona dhe eficiencën e politikës monetare. Në mënyrë më të drejtpërdrejtë, kemi vërejtur një ulje të ndërmjetësimit financiar, që vjen për shkak të procedurave të shtrënguara të huadhënies, madje edhe për ekonomi apo sektorë që kanë patur ecuri të mirë gjatë krizës. Si rrjedhojë, kjo u reflektua në frenim të investimeve dhe ulje të dinamikës së ekonomisë shqiptare, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat”, u shpreh Fullani. Kreu i Bankës Qendrore ka paralajmëruar se këto pasoja negative mund të thellohen edhe më tej nga masat e reja që po ndërmerr BE. “Nga kërkimet tona tregohet se shtrëngimi i mëtejshëm i kreditimit, për shkak të reformave ligjore që po ndërmerren, mund të sjellë një efekt të rëndësishëm jo vetëm mbi aktivitetin ekonomik, por edhe mbi cilësinë e aseteve të bankave tregtare, në veçanti në situatën e kredive me probleme. Përkeqësimi i aktivitetit ekonomik do të vijonte kryesisht në të njëjtën mënyrë, duke çuar në përkeqësimin e raportit të kredive me probleme, në fitime më të ulëta të bankave dhe kufizime më të mëdha të kapitalit, së bashku me rritje më të ngadaltë. Këto rregullime po vendosin vështirësi domethënëse mbi ekonomitë tona. Në mënyrë më të drejtpërdrejtë, kemi vërejtur një ulje të ndërmjetësimit financiar, që vjen për shkak të procedurave të shtrënguara të huadhënies madje edhe për ekonomi apo sektorë që kanë patur ecuri të mirë gjatë krizës. Si rrjedhojë, kjo u reflektua në frenim të investimeve dhe ulje të dinamikës së ekonomisë shqiptare, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Për më tepër, praktikat aktuale të biznesit dhe orientimi i politikave po vendosin pengesa domethënëse në eficiencën e mekanizmit të transmetimit të politikës monetare, dhe aftësinë e autoriteteve për t'i dhënë ekonomisë stimulin aq të nevojshëm. Është e kuptueshme që bankat do të duhet të jenë të kujdesshme, prudente dhe të përgjegjshme duke patur parasysh gjendjen aktuale të kredive me probleme. Megjithatë, ato duhet të konsiderojnë edhe faktin që kreditimi dhe ndërmjetësimi financiar janë të rëndësishëm për rritjen, e cila mund të përmirësojë aftësinë e agjentëve ekonomikë për të shlyer kreditë. Kjo është e vërtetë sidomos për sektorë të veçantë si bujqësia dhe agrobiznesi, të cilët deri tani nuk kanë përfituar nga zgjerimi i kreditimit, po që kanë potencial të madh e të pashfrytëzuar për rritje” u shpreh Fullani. Sipas Fullanit koha e një modeli të rritjes ekonomike të nxitur kryesisht nga konsumi vendas tashmë ka ikur. Guvernatoi i BSH-së tha se institucionet dhe grupet financiare evropiane duhet të mbështesin dhe të bëhen një forcë pozitive për lehtësimin, zbutjen dhe mbështetjen e bashkëpunimit ekonomik rajonal. “Koha e një modeli të rritjes ekonomike të nxitur kryesisht nga konsumi vendas tashmë ka ikur. Bankat, selitë e tyre qendrore dhe autoritetet mbikëqyrëse në vendet evropiane të origjinës duhet të punojnë së bashku me autoritetet e vendeve pritëse për të zhvilluar një model afatgjatë dhe të qëndrueshëm të rritjes ekonomike. Ky model i ri nevojitet të mbështetet te investimet në sektorë produktivë të ekonomisë. Produktet dhe shërbimet tona duhet që të jenë jo vetëm konkurruese në tregun vendas, por edhe të ofrojnë avantazhe krahasuese edhe në tregjet e rajonit dhe ato të Bashkimit Evropian. Është e qartë se bashkëpunimi është e vetmja zgjedhje për të ardhmen. Vendet tona kanë bërë reforma strukturore dhe kanë përshtatur kuadrin rregullator, legjislativ dhe institucional për t'iu përshtatur këtyre partneriteteve. Udhëhequr nga procesi i integrimit evropian, vendet e rajonit kanë nënshkruar, gjithashtu, marrëveshje dypalëshe për tregtinë e lirë midis tyre. Qëllimi i marrëveshjeve dypalëshe për tregtinë e lirë është të krijojë një zonë rajonale të tregtisë së lirë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Institucionet dhe grupet financiare evropiane duhet të mbështesin dhe të bëhen një forcë pozitive për lehtësimin, zbutjen dhe mbështetjen e bashkëpunimit ekonomik rajonal, që do të çojë në një të ardhme më të begatë dhe proces më të shpejtë të integrimit evropian të rajonit”përfundoi Fullani. Gjatë vitit të kaluar kredia për sektorin privat ra me 2.2 për qind ndërkohë që në tre muajt e parë të këtij viti ritmet e rënies u thelluan. Në qershor, Bashkimi Europian pritet të publikojë vlerësimin e radhës mbi gjendjen e grupeve bankare të Eurozonës, përfshirë ato që janë në Shqipëri.

/Ora News.tv/