FSHF i përgjigjet Partizanit: Më shumë gjakftohtësi dhe përqëndrim në realizimin e objektivave final

FSHF i përgjigjet Partizanit: Më shumë gjakftohtësi dhe

Sezoni futbollistik në Shqipëri është futur në një moment të nxehtë, me javët e fundit që do të përcaktojnë verdiktet përfundimtar të sezonit 2017-2018.

Duke marrë shkak se në Kategorinë Superiore kanë mbetur dhe 5 javë për t'u zhvilluar dhe lufta futbollistike është e nxehtë si në zonën e Evropës, ashtu dhe në zonën e ftohtë të tabelës, Federata Shqiptare e Futbollit i ka bërë thirrje për qetësi skuadrave pjesëmarrëse.

Gjithashtu, FSHF ka shprehur keqardhje për klubin e Partizanit, që në një deklaratë për shtyp shpërndarë dje, akuzonte Federatën si përgjegjëse kryesore të mos arritjes së objektivave të tyre, një vendi në Kupat e Evropës.

Qëndrimi zyrtarë i FSHF-së në lidhje me këtë rast:

Duke marrë shkas edhe nga qëndrimi i fundit zyrtar i klubit të futbollit Partizani për ndeshjen e fundjavës në Lushnje, FSHF shpreh keqardhjen e saj për gjuhën vulgare të përdorur, dhe krejtësisht jo fair. Dështimet e sezonit të një skuadre, apo një tjetre nuk mund ti faturohen kurrsesi FSHF-së. Duke qenë se aludohet, dhe shpesh prodhohet alibia që FSHF dirigjon pengimin e Partizanit në arritjen e objektivave të tij, atëherë në suksesin e pesë ndeshjeve radhazi të klubit Partizani para pak javësh, FSHF paska qenë faktor? Këto janë thjesht paragjykime emotive në këtë pjesë të fundit të sezonit.

Përveç arbitrit në fushë, ndeshjen e gjykon edhe publiku si një futbolldashës, dhe jo në pozitat e një tifozi të sëmurë. Ndaj ne e ftojmë atë (publikun) të shohë takimin e Lushnjes ndaj Partizanit për gjithçka dha ajo ndeshje në fushë, nga ana e të dyja skuadrave, përpara se të gjendet një armik për mosarritjen e objektivit. Çdo rezultat është pjesë e lojës, dhe produkt i përgatitjes dhe performancës, si edhe pashmangshmërisht, edhe fatit për secilën skuadër. Ky është një moment që kërkon më shumë gjakftohtësi dhe përqëndrim në realizimin e objektivave finalë të të gjithë aktorëve të garës. Kjo shërben shumë më tepër, sesa një recetë gjaknxehtësie.

EMISIONET