Opozita kundër Macron për privatizimin e aeroporteve të Parisit

Opozita kundër Macron për privatizimin e aeroporteve të Parisit

Në Francë është krijuar një aleancë e pazakontë forcash politike që po refuzojnë një projektligj të presidentit Emanuel Makron për të privatizuar aeroportet më të mëdha të vendit. Qeveria pretendon se të ardhurat nga privatizimi do të përdoren për financimin e inovacioneve teknologjike, ndërsa kritikët shprehen se shitja e tyre do rritë kostot për qytetarët.

Një nismë e presidentit francez Emanuel Makron për të privatizuar aeroportet e Parisit ka ndeshur në kundërshtinë e deputetëve të opozitës në të dy krahët politikë.

Asambleja kombëtare, dhoma e ulët e parlamentit francez, miratoi të enjten një projektligj të propozuar nga qeveria centriste që lejon privatizimin e grupit "ADP" i cili administron tri aeroportet e kryeqytetit.

Shteti francez po mendon të shesë rreth 50 për qind të aksioneve që ka aktualisht te grupi administrues i aeroporteve, me synimin për t'i përdorur rreth 10 miliardë euro të ardhura për financimin e inovacioneve teknologjike.

Por opozita në parlament ka hedhur idenë e mbajtjes së një referendumi popullor për këtë çështje, duke i konsideruar aeroportet si pika strategjike të cilat nuk duhen lejuar të bien në duart e fuqive të huaja.

Në aeroportet më të mëdha të Parisit, si Sharl Dë Gol apo Orli, udhëtojnë çdo vit mbi 105 milionë pasagjerë.

Kritikët thonë se privatizimi i aeroporteve do të kishte të njëjtat pasoja negative që ka sjellë edhe transferimi i autostradave kombëtare nga administrimi publik në atë privat një dekadë më parë, ku drejtuesit e automjeteve përballen me tarifa gjithnjë e më të larta.

Nisma për aeroportet, sikurse ajo për shitjen e operatorit të lotarisë franceze dhe të furnizuesit të energjisë dhe gazit, pritet të refuzohen nga Senati francez ku opozita ka shumicën e votave.

EMISIONET