Këta që shihni në foto janë dy viktimat që humbën jetën në aksidentin tragjik në zonën e Golemit, në vargun e aksidenteve të shumta rrugore ditët e fundit.

Xhemal Pisku, 69 vjeçari dhe nusja e djalit të tij, Edlira Pisku, 34 vjeçe, u goditën për vdekje nga një automjet tip "Toyota" mëngjesin e së shtunës tek Mali i Robit, duke e çuar bilancin e viktimave në 18 të vdekur në tre javët e para të muajit shkurt.

Policia e Kavajës në bashkëpunim me Prokurorinë kanë arrestuar në flagrancë drejtuesin e mjetit që shkaktoi aksidentin fatal mëngjesin e së shtunës, shtetasin Halil Koka, 40 vjeç, banues në Durrës.

Mjafton një vëzhgim i thjeshtë në aksin nacional Durrës-Rrogozhinë për të parë rrezikshmërinë gjatë autostradës; ku këmbësorët presin autobusët interuban në anë të segmenteve nacionale ku shpejtësia e lejuar është 80-90 km/orë. Nuk ka stacione, apo vende qëndrimi ndërsa autobusët dhe furgonët ndalen ku të ngrihet dora e radhës nga udhëtarët.

/Ora News.tv/