Foreign Affairs/A po shndërrohet Turqia në një shtet mafioz?

Foreign Affairs/A po shndërrohet Turqia në një shtet mafioz?

Në ditët e para të javës së lamë pas, u zhvillua seanca e parë gjyqësore ndaj biznesmenit turko-iranian, Reza Zarrab në Manhatan. Zarrab, i cili është i njohur për lidhjet e tij të ngushta me presidentin eTurqisë, Rexhep Tajjip Erdogan dhe pretendon se ka patur skemë të mirëorganizuar për  shkëmbimin të naftës me flori, një mënyrë e sofistikuar për të shmangur sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit, ndoshta me ndihmën e të afërmve dhe aleatëve të ministrave të qeverisë turke. (Zyrtarët amerikanë kanë arrestuar Zarrab në mars të vitit të kaluar, ndërsa po udhëtonte për në Majemi, Florida). 

Më vonë, pas nisjes së procesit gjyqësor, megjithatë, pretendimet e prokurorëve amerikanë u hodhën poshtë nga të akuzuarit, ndërsa të mërkurën Zarrab pranoi të dëshmonte para gjykatësve, duke pretenduar se kishte korruptuar ish-ministrin e ekonomisë për të shmangur sanksionet. Të gjitha lidhjet, të cilat mund të implikojnë edhe Erdoganin, e kanë vënë udhëheqësin turk në një pozitë tejet të vështirë, i cili ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po komplotojnë për të rrëzuar qeverinë e tij dhe atë personalsht nga pushteti. Fajtori i vërtetë që nxiti hetimet, siç këmbëngul ai, është Fethullah Gylen, udhëheqësi i lëvizjes së shquar Hizmet (ose “Gyleniste”), i cili jeton në mërgim në Pensilvani dhe që Erdogan pretendon se është orkestruesi i tentativës së grushtit të shtetit të korrikut 2016 kundër tij.

Profili i lartë i Zarrab është vetëm njëri nga shembujt e shumtë të një tendence gjithnjë në rritje në Turqi: ringjalljes së krimit të organizuar. Gjatë dhjetë viteve të fundit, është vënë re një zgjerim dramatik i tregtisë dhe kontrabandës së paligjshme në të gjithë vendin. Një nga faktorët e kësaj rritjeje është dhe shpërthimi i luftës civile në Siri në vitin 2011 dhe përkeqësimi i gjendjes së brendshme të Irakut pas daljes në skenë të Shtetit Islamik (ose ISIS) në vitin 2014. Paqëndrueshmëria nxiti një bum të aktiviteteve kriminale dhe kontrabandës përgjatë të gjithë kufirit jugor të Turqisë. Për shembull, njësia kryesore në luftën kundër lëndëve narkotikëve dhe kontrabandës, Departamenti i Anti-kontrabandës dhe Krimit të Organizuar (i njohur dhe si KOM), në vitin 2009 ka ndërmarrë rreth 800 aksione kundër tregtisë së paligjshme të naftës, por deri në vitin 2014, numri i përgjithshëm i këtyre operacioneve arriti në rreth 5 mijë të tillë. Në vitin 2014, më shumë se 8 mijë individë u arrestuan me akuza për kontrabandë të heroinës, një rritje e dyfishtë që nga viti 2009 dhe një rritje pesëfishtë që nga viti 2001.

Shtimi i industrive të paligjshme në Turqi lidhet gjithashtu dhe me Erdoganin dhe administratën e tij. Ata përgjithësisht kanë dështuar të tregojnë vendosmëri apo të vendosin prioritete për përballimin e këtyre sfidave. Zyrtarët e qeverisë kanë qenë shumë të heshtur për rritjen alarmante të shifrave të kontrabandës. Ankaraja ka kohë që i ka rezistuar thirrjeve të ndërkombëtarëve për mbylljen e kufirit me Sirinë, pavarësisht numrit të madh të luftëtarëve të huaj që kalojnë nga territori turk. Vetëm pas ndërhyrjes së Turqisë në Siri në gusht 2016, qeveria turke filloi ndërtimin e një muri kufitar prej 560 miljesh përgjatë gjithë kufirit sirian. Arrestimet dhe konfiskimet e fundit, përfshirë konfiskimin e rreth 100 ton naftë kontrabandë në mars, u ndërmorën vetëm pas rritjes së presionit ndërkombëtar dhe pas vetëm pas raportimeve të vazhdueshme të mediave të ndryshme për shiftrat alarmante të kontrabandës dhe veprimtarive të tjera të paligjshme në kufirin ndërmjet Turqisë dhe territorit të kontrolluar nga ISIS.

Përveç neglizhencës së saj, qeveria turke duket e përfshirë drejtpërsëdrejti dhe në veprimtari të tjera kriminale. Shenjat më të neveritshme u shfaqën në dhjetor të vitit 2013 kur prokurorët turq arrestuan Zarrab dhe djemtë e katër ministrave më të rëndësishëm të qeverisë së Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet, të cilët akuzoheshin për pastrim parash, kontrabandë dhe shmangie të sanksioneve kundrejt ryshfeteve. Erdogan, i cili më vonë u bë kryeministër, ishte një nga themeluesit kryesorë të partisë në vitin 2001 dhe kishte lidhje shumë të ngushta me ministrat e akuzuar. Ndonëse hetimet çuan në dorëheqjen e disa ministrave të AKP-së, Erdogan publikisht sulmoi zyrtarët e KOM dhe zyrtarë të tjera të organave ligjzbatuese se po mbështesnin atë që ai e konsideroi një “grusht shteti të organizuar nga gjyqësori”. Ai fajësoi Gylenin, duke i cilësuar hetimet si një akt hakmarrjeje nga mbështetësit e Gylenit në Turqi, ndërsa më herët gjatë vjeshtës kishte lëshuar një lumë akuzash ndaj lëvizjes së tij.

Në janar të vitit 2014, menjëherë pas zgjedhjes në postin e presidentit, Erdogani shkarkoi mijëra oficerë të policisë dhe zyrtarë të KOM-it ose i transferoi në pozicione të tjera. Një muaj më vonë, ai liroi Zarrab nga burgu dhe çështja ndaj tij u mbyll. Në një tjetër rast shqetësues, në prill të vitit 2015, qeveria turke hoqi kufizimet për deklarimin të sasisë së parave që udhëtarët lejoheshin të sillnin në vend, gjoja për të inkurajuar investimet e huaja. Ky veprim ka ngritur shqetësime dhe dyshime të mëdha në rradhët e vëzhguesve ndërkombëtarë, të tillë si Task Forcë e Veprimit Financiar, e cila ka lobuar që Turqia të forcojë ligjet e saj kundër pastrimit të parave. Ndërkohë, në mars të vitit 2016, Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës publikoi një raport mbi transparencën dhe efikasitetin e oficerëve dhe gjykatave turke të ngarkuara me mbikëqyrjen e sektorit financiar në vend, dhe raporti shkonte shumë larg duke i cilësuar mekanizmat e Turqisë kundër pastrimit të parave “të dobëta dhe të mangëta dhe me mungesa të theksuara në mjete dhe ekspertizë për të luftuar në mënyrë efikase [financimin e terrorizmit]”. Një muaj para publikimit të raportit të Departamentit të Shtetit, prokurorët italianë nisën hetimet ndaj djalit të madh të Erdoganit, Bilalit, i cili akuzohej për pastrim parash. Ndonëse hetimet u pezulluan dhe akuzat ndaj tij u pushuan, problemet ligjore të Bilal Erdogan kishin ngjashmëri dhe lidhje me procedurat penale të nisura ndaj bashkëpunëtoreve të babait të tij në vitin 2013.

Publiku me të drejtë u zemërua nga këto ngjarje, por furia e zemërimit të tyre u sfumua nga tentativa e grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016, spastrimet masive dhe arrestimet që pasuan tentativën e grushtit të shtetit. Insistimi i menjëhershëm dhe i palëkundur Erdoganit ndaj rolit të Gylenit në tentativën e grushtit të shtetit, bëri që pjesa më e madhe e medias turke, si dhe shumica e publikut, t’i shihnin akuzat e rryshfetit dhe aferat e korrupsionit të vitit 2013 me shumë rezerva. Pretendimet e autoriteteve shtetërore se KOM kishte bashkëpunuar për organizimin e tentativës së grushtit të shtetit, bënë që publiku të supozojë se hetimet e tjera penale janë një përpjekje e ngjashme e oficerëve gylenistë për të minuar qeverinë turke. Pikërisht bazuar në këto pretendime në vitin 2014, një gjykatës turk përmbysi vendimin paraprak për shefin e famshëm të mafias, Sedat Peker, të cilin politika e së djathtës e çoi shumë shpejt në orbitën e Erdoganit. Më vonë, të përditshmet pro-qeveritare nisën të qarkullonin fotografitë e Erdoganit që përqafonte Pekerin në dasmë e një prej besnikëve dhe eksponentëve të rëndësishëm të AKP-së. Imazhe të tilla kanë kontribuar fuqishëm në krijimin e një imazhi në publik se Turqia de facto po shndërrohet në një shtet mafioz.

Në vend që të luftojnë krimin e organizuar, zyrtarët turq dhe aleatët e tyre në media janë përpjekur që të tregojnë FETO-n ose “Organizatën Terroriste Fethullahiste” siç e quajnë ata, akronimi i preferuar i tyre për konspiracionin e supozuar gylenist, si një ndër burimet kryesore të aktiviteteve kriminale të organizuara në Turqi sot. Erdogan ka përjashtuar ose arrestuar mijëra punonjës të KOM dhe në organet e tjera ligjzbatuese. Zyrtarët e mbetur në shërbim të shtetit, vazhdimisht janë akuzuar dhe kanë qenë viktima të gjuetisë së shtrigave për lidhje me gylenistët dhe aleatët e tyre të supozuar. Sipas statistikave të vetë KOM, në vitin 2016 rreth 78 përqind e të arrestuarve me akuza për mitmarrje ose korrupsion janë deklaruar anëtarë të FETO-s. Ndërkohë, statistika të tjera nga viti i kaluar sugjerojnë se hetimet për krimin e organizuar të zakonshëm kanë pësuar një rënie drastike. Një shpjegim i mundshëm për këtë rënie, mund të jetë rikonstituimi rrënjësor i organeve ligjzbatuese turke menjëherë pas tentativës së grushtit të shtetit të korrikut të vitit 2016. Për të plotësuar radhët e agjensive ligjzbatuese dhe atyre të sigurisë, Ankaraja ka ulur standardet bazike të arsimit për rekrutimin e punjonjësve të policisë.

Punonjësit e rinj të policisë kanë marrë detyrën pa një trajnim adekuat ose pa kaluar një proces të mirëfilltë testimi, duke hedhur dyshime të forta mbi kompetencën dhe profesionalizmin e zyrtarëve të KOM-it dhe policisë turke. Sipas një ish-zyrtari të lartë, “agjencitë turke të zbatimit të ligjit, janë traumatizuar jashtëzakonisht shumë dhe janë demoralizuar si rezultat i spastrimeve të vazhdueshme që kanë ndodhur vitet e fundit. Memoria institucionale, përvoja dhe shumë kapacitete të tjera janë zhdukur”.

Pasojat e tatëpjetës së vazhdueshme të Turqisë në shkeljen e ligjit marrin më shumë tone ogurzeza, nëse i kushtohet rëndësi krimit të organizuar në të kaluarën e afërt. Pozicioni gjeografik i Turqisë e bën atë një nyje të rëndësishme të kontrabandës ndërmjet Europës, Azisë dhe Afrikës. Përkeqësimi i vazhdueshëm i sundimit të ligjit në vend, ka gjasa të stimulojë më tej trafikun e paligjshëm drejt Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, duke rritur ndjeshëm tregtinë e drogarëva të rënda, armëve dhe financimet e paligjshme, si dhe emigrantët. Marrëdhëniet e përkeqësuara ndërmjet Brukselit dhe Ankarasë, mund të nënkuptojnë se bashkëpunimi dhe koordinimi për këto çështje të rëndësishme për sigurinë do të ketë pasoja të rënda. Duke patur parasysh gatishmërinë e Erdoganit për të kërcënuar Europën me flukse të pakufizuara të refugjatëve përgjatë kufijve të Turqisë, ka shumë gjasa që politikanët evropianë të mos kenë asnjë mundësi për të ushtruar presion mbi zyrtarët turq që të marrin më seriozisht çështjet që kanë të bëjnë me krimin e organizuar.

Ndërsa, përsa i përket marrëdhënieve të saj me Shtetet e Bashkuara të Armesikës, Turqia dikur ishte një aleate e besueshëm në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Por, kjo ka shumë gjasa që të mos të jetë më e tillë në të ardhmen. Në dritën e mosmarrëveshjeve të theksuara mbi zgjedhjet politike në Siri, duket se marrëdhëniet SHBA-Turqi janë në pikën më të ulët të dekadave të fundit. 

Ndërsa lista e aleatëve të Erdoganit tkurret, ai dhe AKP-ja e tij, me siguri do të vazhdojnë të përshkruajnë çdo veprim të përceptuar të presionit të SHBA-ve si të padëshiruar dhe armiqësor. Nuk mund të ketë asgjë që Uashingtoni apo Brukseli t'i ofrojnë Ankarasë për të kapërcyer ndarjet në rritje ndërmjet tyre. Politikëbërësit perëndimorë do të bënin mirë që të bënin planet e tyre në përputhje me rrethanat e reja të krijuara. Në vend që të shpresojnë për një bashkëpunim të mundshëm në të ardhmen, ata shumë mirë mund të krijojnë një strategji që izolojnë dhe mbrojnë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nga rreziqet potenciale që paraqet një shtet turk gjithnjë e më i korruptuar.


Foreign Affairs

EMISIONET