FMN fshikullon Ballukun: Të ndalohen propozimet e pakërkuara për të gjitha PPP-të

FMN fshikullon Ballukun: Të ndalohen propozimet e pakërkuara për

Vetëm një javë pasi Ministrja e Infrastrukturës bëri me dije se do të jepen dy koncesione të reja në infrastrukturë, Fondi Monetar Ndërkombëtar përsëriti edhe njëherë apelin që të mos pranohen propozime të pakërkuara. Në përfundim të misionit në Shqipëri, FMN theksoi se projektet PPP janë një rrezik i shtuar për buxhetin e shtetit. Brenda datës 15 maj kontratat e Partneritetit Publik-Privat për akset Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat do të shkojnë në parlament për miratim. Me këto vendime shqiptarëve u shtohen dhe 1.5 miliardë euro për të shlyer.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vijon të bëjë apel për të bërë kujdes me kontratat PPP. Vetëm një javë pasi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, njoftoi dy kontratat të reja PPP për ndërtimin e rrugëve, institucioni ndërkombëtar financiar theksoi se këto projekte kanë rritur ndjeshëm rreziqet fiskale në buxhet.

Jan Kees Martijn: I nxisim autoritetet t’i përdorin ndryshimet e fundit në ligjin për PPP-të për t’i kufizuar risqet që lindin nga detyrimet e kushtëzuara të lidhura me to dhe për të siguruar administrim më të qëndrueshëm të investimeve publike. Kjo ka rëndësi për mbrojtjen e financave publike dhe për sigurimin e maksimizimit të vlerës. I mirëpresim shtesat dhe ndryshimet që synojnë përmirësimin e administrimit të risqeve të PPP-ve. 

Me marrjen përsipër të një roli të ri nga ana e MFE-së si filtër për PPP-të, duhet siguruar që kjo Ministri të ketë kapacitetin për të vlerësuar risqet dhe kostot e këtyre projekteve, sidomos në fazën përpara studimit të leverdishmërisë.

 Në këtë kuadër, Ministria duhet të ketë të drejtën e marrjes së informacionit mbi të gjitha të dhënat kontraktore që kanë ministritë e linjës (përfshirë edhe për projektet ekzistuese). Gjithashtu, efektivitetin e kostos do ta rriste shumë eliminimi i fragmentimit të vendimmarrjes në menaxhimin e investimeve publike. Vijojmë t’i nxisim autoritetet që të ndalojnë përdorimin e propozimeve të pakërkuara për të gjitha PPP-të.

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, do të dorëzojë brenda 15 majit kontratat e Partneritetit Publik-Privat për akset Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat.

Segmenti Orikum Dukat  kushton 50.5 mln euro por përtej kësaj  qeveria do t’i paguajë koncesionarit privat edhe interesat për 13 vjet, që në total sipas listës së paraqitur në projektbuxhetin e vitit 2019, e çojnë faturën e Orikum-Dukat në rreth 70 milionë euro.

Segmenti  rrugor Millot-Balldre është  parashikuar që të kapë vlerën e  161.5 milionë eurove.

Edhe pse zyrtarisht këto kontrata nuk konsiderohen si borxh publik, ato janë detyrime për të cilat Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe institucione të tjera kanë kërkuar me këmbëngulje gjatë viteve të fundit që të llogariten në të.




EMISIONET