Në një ditë zakonshme në këtë stinë, në urgjencën e QSUT paraqiten 250 deri 300 raste  ku numri i bluzave të bardha në një shërbim është vetëm 13 vetë. Në këto kushte shqetësimi i pacientëve qëndron tek mungesa e shtretërve, fakti që spitalet rajonale i sjellin edhe për probleme të vogla në Tiranë dhe mosfunksionimin e aparaturave si në shërbimin e kardiologjisë. 

Urgjenca në QSUT vijon të përballet me fluks pacientësh, një ndër çështjet që në fakt u ngrit si shqetësim edhe nga bluzat e bardha që kërcënuan me largimin nga puna.

Në një ditë të zakonshme, pacientë dhe të afërm të tyre tregojnë mbi burokracitë, problematikat me aparaturat dhe mungesën e shtretërve për shkak të fluksit të lartë. Dikush mendon se spitalet rajonale i transferojnë pacientët në QSUT edhe për shqetësimin më të vogël.

Pacient: Është kjo gjendja gripale dhe ka mbipopullim. Është e mira që unë nga Pogradeci mos vij në Tiranë për një gjë të vogël, por të shkoj në Korcë.

Një tjetër pacientet e lidh situatën me kushtet kur në spitale mungojnë aparaturat diagnostikuese dhe se mjekët i orientojnë njerëzit drejt spitaleve private.

Pacient: Kam 4 ditë që  e kam pacientin të sëmurë te zona e kuqe dhe ata vetëm analizat e kanë bërë, për koronaren i kanë thënë që të presë sepse kokat drejtuesi janë të lidhur me privat.

Ka dhe të tjerë që thonë se fenomeni i mitmarrjes mbetet në nivele shqetësuese.

Pacient: Po nuk u dhe lekë nuk të vijnë të të shikojnë

Në urgjencën e sëmundjeve të brendshme ku u ngrit edhe shqetësimi i mjekëve, në 24 orë priten 250-300 pacientë ndërkohë që numri në total i mjekëve për gjithë shërbimin është vetëm 13. Numër i ulët krahasuar me nevojat që kanë pacientët për shërbimet.

/Ora News.tv/