Sekretari i Përgjithshëm  i PD, Gazment Bardhi thirrjen e Bashës në prokurori e konsideron si shfokusim nga skandalet e kryeministrit Rama.

Në një status në Facebook, Bardhi thotë se akuzat ndaj Bashës, Ristani dhe Dervishit janë qasharake.

Reagimi i Bardhit

Akuza politike dhe qesharake, kundër Kryetarit të Opozitës dhe dy kolegëve të Partisë Demokratike z. Ristani dhe z. Dervishi, është përdorur nga prokurorët e tij të korruptuar, sa herë shefi i tyre politik Edi Rama ka patur një hall të madh dhe ka qenë e nevojshme shfokusimi i vëmendjes së qytetarëve nga skandalet e Kryeministrit të Avdylajve.

Të gjithë mbajnë mend se:

· Çështjen e nisën në kohën kur kërkohej arrestimi i Saimir Tahirit për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike dhe Edi Rama pengonte prokurorinë të bënte detyrën, derisa e vuri atë nën kontroll të plotë.

· Çështjen e sollën në vëmendje kur doli në publik skandali i vëllait të Fatmir Xhafës, akuzuar po ashtu si trafikant ndërkombëtar droge, dhe u provua se Qeveria kishte manipuluar hetimet.

· Çështjen e risollën në vëmendje të opinionit publik, deri me deklarata të paprecedenta të prokurorisë, kur u provua bashkëpunimi i Vangjush Dakos për të blerë votat me një trafikant ndërkombëtar droge.

· Çështjen e rihedhin për konsum publik edhe tani, kur Edi Rama është faktuar se është organizatori i skemës së bashkëpunimit të Partisë Socialiste me krimin e organizuar.

Shqiptarët nuk janë budallenj, edhe pse 4 prokurorë të korruptuar, bashkë me urdhëruesin politik të tyre Edi Rama, i kujtojnë për të tillë! Budallenjtë e vetëm janë këta që nuk kanë kuptuar ende që kanë marrë fund, dhe detyrohen të bëjnë veprime të dëshpëruara.

Udhë e mbarë drejt humnerës që ju pret!

/Ora News.tv/