Trajneri i Vllaznisë, Hasan Lika është shprehur mjaft i lumtur për 3 pikëshin që skuadra shkodrane mori përballë Shënkollit. Një fitore që dërgon në +7 distancën e kuqebluve nga ndjekësi më i afërt Erzeni. Gjithsesi në prononcimin për mediat, tekniku Lika u shpreh se skuadra e tij nuk ka vetëm skuadrën e Erzenit si rival për tu ngjitur një kategori më lart.

"Një fitore e nevojshme për momentin aq më tepër kur kundërshtari ynë direkt... sigurisht nuk kemi vetëm Erzenin, kemi edhe të tjerët. Arritëm të fitonim me një lojë deri diku të mirë, pavarësisht se kundërshtari ndoshta nuk ishte në kondicionin e tij më të mirë. Sigurisht që ne shkojmë 7 pikë ka meritë edhe ekipi kundërshtarë. Nëse ne kemi kampionatin tonë, ato kanë kampionatin e tyre. Çdo ekip dëshiron të marrë maksimumin në çdo ndeshje. Sigurisht, plus për ne. Ashtu siç kemi gabuar ne, gaboi edhe kundërshtari jonë. Shpesh herë skuadrat përfitojnë nga gabimet e njëra-tjetrës. Pjesën e mbetur të kampionatit e shikojmë ashtu siç e kemi parë deri tashi. Kemi ndeshje të forta, të vështira. Në çdo ndeshje duhet që përqendrimi të jetë maksimal sepse ju e patë se edhe kundër një skuadre me pozita jo shumë të mira në klasifikim e kishim të vështirë të shkonim te goli.

Kupa? Ne nuk është se kishim objektiv kryesor Kupën. Nuk kemi lënë asgjë në Kupë, kemi dhënë maksimumin deri në minutën e fundit. Nuk arritëm dot ta realizonim, por ishim të gatshëm ta përballonim nëse do të shkonim më tej. Gjithsesi kemi akoma më tepër kohë në dispozicion për të rritur forcën e skuadrës "përfundoi Lika.

/Ora News.tv/