Fitorja me Uellsin, Duka: Ndryshon atmosferën, kombëtarja ka nevojë për mbështetje

Fitorja me Uellsin, Duka: Ndryshon atmosferën, kombëtarja ka

Shqipëria u riktheu tek fitorja, pasi mposhti minimalisht 1-0 Uellsin. Në miqësoren e luksit të zhvilluar në "Elbasan Arena" autori i golit të vetëm ishte sulmuesi shkodran, Bekim Balaj. Pas takimit, presidenti i FSHF-së, Armand Duka u shpreh se kjo fitore do i shërbejë skuadrës për të gjetur vazhdimësinë dhe për t'i dhënë besim stafit.  

“Rezultati ishte pozitiv. Pjesa e parë nuk ishte shumë e mirë, por mendoj se pas asaj humbjeje të thellë ndaj Skocisë i shërben ekipit për ndryshimin e atmosferës. Sot (dje) ata që ishin në fushë ishin më të mirët e mundshëm. Kishte edhe të tjerë që u larguan, por me Kombëtaren duhet të jetë në fushë ai që gëzon formën më të mirë momentale”, theksoi Duka.

I pyetur nga "Ora News" për sa i përket trajnerit Panucci dhe të ardhmes së tij, Duka u tregua diplomat në vendimin e tij.

“Nuk kam diskutuar asgjë para ndeshjes, veçse jam munduar ta mbështes si trajner të ekipit për të marrë rezultat pozitiv. Rezultati nuk ngre ndonjë gjë të madhe, por i kthen besimin skuadrës. Fitorja ndikon në moralin e djemve. Nëse i kthehet besimi atyre, na kthehet edhe neve. Ky besim nuk mjafton vetëm te çunat. Nuk themi që kjo fitore e bëri këtë skuadër shumë të mirë. Të gjithë duhet t’i japim besim”, tha presidenti i FSHF-së.

EMISIONET