Ndeshja e përfaqësues së Kosovës me Republikën Çeke ka ngrirë për 90 minuta aktivitetin elektoral të partive politike.

Të gjithë kandidatët për kryeministër nga subjektet e regjistruara në garën elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare me 6 tetor u panë në tribunën e stadiumit për të bërë tifo për skuadrën e zemrës.

Në tribunën e stadiumit "Fadil Vokrri" nuk mungonte dhe i pari i vendit, presidenti Hashim Thaçi. Por këtë moment emocionant nuk e ka humbur as Kreu i Shtetit shqiptar, Ilir Meta.

Ai ka udhëtuar drejt Kosovës për këtë sfidë, si për tu çliruar dhe nga energjia negative e konfliktit politik në vend. Meta dhe Thaçi ishin ulur ngjitur në tribunë. Presidenti i Kosovës shoqërohej edhe nga djali i tij.

Sakaq Ramush Haradinaj, si gjithmonë shoqërohej edhe nga bashkëshortja e tij, Anita Haradinaj.

Më herët, Hashim Thaçi, në një postim në facebook shkruante se ëndrra drejt suksesit vazhdon.

"Sot në stadiumin që mban me nder emrin e Fadil Vokrrit mund ta vazhdojmë ëndrrën dhe historinë e suksesit për futbollin e Kosovës. Uroj që djemtë e përfaqësueses sonë ta fitojnë këtë betejë përcaktuese për vazhdimin e kualifikimit në Kampionatin Evropian. Sot duhet të fitojmë për Kosovën, duhet të fitojmë për Vokrrin. HTH"-shkruan Thaçi. 

Kosova fitoi 2:1 ndaj Republikës së Çekisë, duke siguruar për momentin kryesimin e grupit A me 8 pikë, i vlefshëm për kualifikueset e Euro 2020.


/Ora News.tv/