Napoli mori fitore të madhe para shikuesve të vetë, duke mposhtur Borussia Dortmundin në kuadër të xhiros së parë në Champions League. Skuadra italiane triumfoi me rezultatin 2:1 ndaj asaj gjermane. Napolitanët në epërsi kaluan me golin e sulmuesit argjentinas, Gonzalo Higuain, i cili shënoi nga afërsia me kokë në minutën e 29-të. Jurgen Klopp, u përjashtua nga ndeshja pas reagimit të ashpër ndaj gjyqtarit të katërt, me rastin e shënimit të golit të parë të napolitanëve. Kur pritej të përfundonte pjesa e parë, skuadra gjermane mbeti pa një lojtar në fushë, pasi u përjashtua nga ndeshja portieri, Roman Weidenfeller, i cili ndal topin me dorë jashtë zonës së rreptësisë. Në pjesën e dytë, skuadra vendase vazhdoi me paraqitje të mirë, duke  realizuar edhe një gol. Kësaj radhe për skuadrën e drejtuar nga spanjolli, Rafa Benitez, një super gol nga gjuajtja e lirë e realizoi Insigne, në minutën e 67-të. Ndërsa tre minuta para përfundimit të ballafaqimit, Dortmund zbuti avantazhin e napolitanëve me anë të një autogoli të mesfushorit, Zuniga, i cili vulosi edhe rezultatin përfundimtar 2:1 për Napolin. Në “Stade Velodrome” edhe Arsenali arriti një fitore të madhe. Theo Walcott në minutën e 65-të shënoi 1-0, para se Aaron Ramsey të dyfishonte epërsinë në minutën e 84 për 2-0. Në fund, Ayew e vendosi rezultatin përfundimtar nga penaltia 2-1. Pas ndeshjeve të para në Grupin F, Napoli zë vendin e dytë në grupin F me tri pikë të fituara, po aq sa ka edhe lideri, skuadra angleze e Arsenalit, e cila triumfoi me rezultat prej 2:1 ndaj Marseille.  

/Ora News.tv/