“Kur takuam qeverinë, e ftuam atë të bisedonte me opozitën në lidhje me reformën zgjedhore. E ftuam qeverinë të krijojë këtë dialog dhe të merren masa në ato fusha që janë në kompetencë të tyre, për të parë që nuk kishte nevojë për ndryshime legjislative. Kjo do të thotë që reforma zgjedhore mund të kryhet edhe pa ndryshimet legjislative me anën e disa hapave nga ana e qeverisë. E kemi ftuar qeverinë të ndërmarrë këto hapa në atë fushë që ka të bëjë me shitblerjen e votave.

Ka disa gjëra që mund të bëhen nga qeveria dhe këto janë gjërat që opozita ka kërkuar. Kjo iniciativë ka të bëjë me rekomandimet e OSBE-ODIHR, që disa mund të kërkojnë ndryshime legjislative, por disa të tjera mund të bëhen nga qeveria. Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për dialog në çdo takim".

Këtë deklaratë të çuditshme e ka artikuluar ditën e sotme, vetë ambasadori i BE-së në Tiranë, zoti Luigi Soreca. Vini re me kujdes, se çfarë thotë në thelb ambasadori i nderuar: Qeveria mund të bëjë ca ndryshime në kuadër të Reformës Zgjedhore edhe pa patur nevojë për ndryshime ligjore.

Zoti ambasador, ose nuk keni informacionin e duhur, ose jeni duke mbyllur sy e veshë, për atë që po ndodh realisht në Shqipëri. Nismës dhe më pas parashtrimit të një projekti të detajuar të partisë “Zgjidhja” për ndryshimin total të sistemit zgjedhor, tashmë i janë bashkuar njëzëri të gjithë faktorët politikë, shoqëria civile dhe veçanërisht qytetarët shqiptarë, me përjashtim të PS-së dhe PD-së.

Rrugëzgjidhja e kësaj krize të rëndë, sipas parashtrimit të zotit Soreca, tashmë është një “film që e kemi parë” shumë herë deri sa e kemi mësuar të gjithë përmendësh, në këto 30 vite tranzicion. Arnimet e pjesshme të sistemit nëpërmjet tryezave dhe marrëveshjeve dypartiake, nuk arrijnë asgjë më shumë se zgjatjen në kohë të lëngimit të demokracisë dhe vendit.

‘Zgjidhja’ dhe gjithë shqiptarët e kanë tashmë të qartë, se kjo krizë e rëndë është njëkohësisht edhe një shans i madh që vendi ynë të hyjë përfundimisht në një epokë të re të demokracisë përfaqësuese.

Pa një reformë rrënjësore, ligjore dhe kushtetuese, nuk bëjmë asgjë më shumë, përveçse i japim oksigjen edhe për një tranzicion të dytë të vendit kësaj qeverisjeje dhe partive të vjetra që janë përgjegjëse, jo vetëm për këtë krizë, por edhe për varfërinë dhe triumfin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.

Nuk mund të gjendet kurrë zgjidhje, zoti Soreca, te dialogjet e kësaj qeverie vetëm me PD-LSI, pa përfshirjen e gjithë faktorëve të tjerë politikë e socialë të vendit. Kemi nevojë për liri, për reformim të kushtetutës dhe të zgjedhjeve, na duhet rivendosja e republikës dhe e sovranitetit të popullit, duhet të rrëzohet sundimi i marrëveshjes së partive të vjetra dhe të zëvendësohet me sundimin e ligjit.

/Ora News.tv/