Trupat turke dhe amerikane kryen për herë të parë të dielën patrullime të përbashkëta në "zonën e sigurisë" të kontrolluar nga kurdët në Sirinë verilindore.Ankaraja po bën presion për patrullime në zonën e ndërmjetme për t'i mbajtur luftëtarët kurdë larg kufirit të saj. Turqia i konsideron militantët kurdë sirianë si terroristë me lidhje me militantët kurdë në Turqi që kanë luftuar qeverinë turke për tre dekada. Por kurdët sirianë kanë qenë gjithashtu aleatë kryesorë të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër kryengritësve të Shtetit Islamik në Siri.

Kjo është patrulla e parë e përbashkët Turqi-SHBA në rajon. Në jug të Akçakale, në Siri, është njësia e përbashkët e nisur dje në mëngjes me automjete të blinduara dhe jo tyë blinduara dhe avion turq dhe amerikanë.

Turqia ka gjashtë automjete të blinduara, dhe helikopterët ushtarakë gjithashtu ofrojnë mbështetje.

Kjo patrullë e parë e përbashkët përfundoi misionin e saj brenda ditës.

Ky zhvillim është parë nga Ministria Turke e Mbrojtjes si hapi i parë drejt krijimit të një "zone të sigurisë" brenda Sirisë në partneritet me SHBA, siç u ra dakord kohët e fundit.

Patrullimet e përbashkëta tokësore dhe ajrore do të vazhdojnë gjatë ditëve të ardhshme, tha Ministria e Mbrojtjes e Turqisë, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu.

Ndërsa Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, disa orë pas përfundimit të patrullimit të parë u tha mbështetësve: "Ne po negociojmë me Shtetet e Bashkuara për zonën e sigurisë, por po shohim në çdo hap se ajo që duam dhe ajo që kanë ata në mendje nuk është e njëjta gjë. Duket se aleati ynë po kërkon një zonë të sigurisë për organizatën terroriste, jo për ne. Ne refuzojmë një mirëkuptim të tillë ".

Erdogani tha se Turqia duhet të sigurojë "të gjithë rajonin" për të qënë në gjendje të rivendosë një milion nga 3.6 milionë refugjatë sirianë që ka pritur deri tani.

Qeveria siriane e quajti patrullimin e përbashkët amerikano-turk një "shkelje flagrante" të sovranitetit të saj dhe të "integritetit territorial".

Patrullimi erdhi një ditë pas deklaratës së ashpër të Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, ku tha se kishte dallime me Shtetet e Bashkuara për zbatimin e marrëveshjes dhe nëse nuk do të fillonte brenda këtij muaji Turqia do të lëvizte në mënyrë të njëanshme.

Në të njëjtën kohë, ai e kishte lidhur çështjen me fluksin e refugjatëve pas valës së zhvillimeve në Indlib, duke thënë se nëse Turqia  nuk merr mbështetje do të hapte portat drejt Evropës.

Për Turqinë krijimi i një zone 30 km të thellë brenda Sirisë ka një rëndësi të madhe për çështjen kurde. Sipas zyrtarëve turq, pasi rajoni të jetë stabilizuar, Turqia kërkon të vendosë refugjatë sirianë atje, duke shpresuar të krijojë një zonë të popullsisë siriane, me kurdët 30 kilometra larg nga kufiri sirian-turk.

Forcat e drejtuara nga kurdët janë tërhequr deri tani 14 kilometra larg kufirit. Sidoqoftë, detajet për gjerësinë e zonës së sigurisë dhe kush do ta kontrollojë atë ende nuk janë vendosur.

Në katër vitet e fundit, trupave amerikane shpesh u është dashur të arbitrojnë paqen mes trupave turke dhe luftëtarëve kurdë.

Turqia është një aleat i NATO-s, por Uashingtoni dhe Ankaraja kohët e fundit kanë qenë në mosmarrëveshje për çështjet ushtarake dhe të sigurisë.

/Ora News.tv/