Ish presidenti i klubit të Barcelonës, Joan Gaspart mendon se transferimi i Neymar nga PSG tek Real Madrid-i nuk do ishte asgjë krahasuar me “tradhtine” që portugezi Figo i bëri Barcelonë-s.

Në qershor të vitit 2000, Real Madridi shokoi futbollin spanjoll kur i pagoi 62 milionë euro katalanasve për portugezin Luis Figo.

Presidenti i “Galaktikëve” Florentino Perez me këtë blerje e bëri të qartë se ai i kishte të qarta idetë për epokën e “Galaktikëve”.

 Kalimi i yllit të ekipit te rivalët e Real Madridit tronditi blaugranët, të cilët nuk u besonin syve për këtë lëvizje. Kjo e shtoi edhe më shumë rivalitetin mes të dyja ekipeve.

Edhe shitja rekord prej 222 milionë eurosh e brazilianit në verë, shkaktoi nervozizëm në kampin katalanas, pasi u përfol shumë shpejt që kjo ishte një lëvizje e Neymar që ai të transferohej në Bernabeu më vonë.

Por Gaspart, i cili u përzgjodh president një ditë përpara se Reali të prezantonte Luis Figo-n, u shpreh se mes të dyja rasteve ka pak ngjashmëri.

“Lëvizja e Neymar-it te Reali nuk krahasohet me atë të Figo-s. Figo iku me tradhti, duke mos i lënë kohë klubit që të gjente zëvendësues. Ai ishte burracak dhe na tradhtoi. “

“Kurse Neymar iku për para. Kaq” u shpreh ish presidenti për Radio Marca.

/Ora News.tv/