Një 38 vjeçar i shpëtoi atentatit me eksploziv mbrëmjen e sotme, 22 prill 2018 pranë qendrës së Fierit.

Në momentin kur personi i identifikuar si Ervin Memo, ka hipur në makinë eksplozivi ka shpërthyer.

"Rreth orës 22:55, në vendin e quajtur "Kryqëzimi i Grecallisë" ka shpërthyer mjeti tip "Benz" me drejtues shtetasin E.M, 38 vjeç, banues në Fier.  Gjatë kohës së shpërthimit mjeti ka qënë i parkuar dhe drejtuesi i tij sapo kishte hipur në mjet. Paraprakisht dyshohet se mjetit i është vendosur lëndë plasëse eksplozivë" informon policia e Fierit.

Menjëherë pas shpërthimit të afërm e kalimtarë kanë nxituar për ti shkuar në ndihmë.  

38 vjeçari mundi të dalë vetë nga makina dhe t'i hipte makinës me këmbët e veta.  Madje ai shfaqet duke refuzuar barelën dhe duke i hipur ambulances vetë.

Grupi hetimor nisi punën për zbardhjen e ngjarjes. Dyshimet kryesore janë ato të pronësisë, pasi mësohet se familja e 38 vjeçarit është në disa procese gjyqësor.

Qytetarët njohin familjen Memo si dhe djalin të qetë e jo problematikë. 

Drejtuesi i mjetit ndodhet në Spitalin Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën. Shpërthimi i ka shkaktuar disa dëmtime e djegie në fytyrë e trup.

Ekspertët sekuestruan dhe pamjet filmike të bizneseve por kamerat nuk kanë filmuar ndonjë person që mund të ketë vendosur eksplozivin në automjetin që Ervin Memo e kishte nxjerrë në shitje. Dyshohet se shpërthimi është realizuar me telekomandë.

Fotot dhe videoja e mberritur ne redaksi treguan se shpërthimi ka qenë mjaft i fortë.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje. 


 
 
 

/Ora News.tv/