Në të gjitha trevat shqiptare u festua sot 7 marsi, festa kombëtare e Mësuesit. Fëmijët vërshuan drejt shkollave me tufa me lule e dhurata, si shenje vlerësimi e dashurie për të cilësuarit, prindi i dytë. Emocione dhe atmosferë festive, u krijua në çdo klasë pavarësisht gjendjes së godinës, qytetit apo fshatit ku ndodhej.

Dhuratat i kishin përgatitur më herët. Në mëngjes, blenë lule të freskëta. Dhe të gjithë vërshuan në shkolla për të uruar mësuesit.

Kamera e Ora News e gjeti të papërgatitur një mësuese në Elbasan, për ti marrë emocionet e vërteta të një marrëdhënie të veçantë.

Nxënësit e klasës së parë në shkollën "Andon Xoxa" në Fier, e rrethuan mësuesen e tyre me buqeta me lule dhe urime, ndërsa prisnin me radhë përqafimin e saj.

Emocione të ngjashme dhe atmosferë festive, këtë 7 mars pati thuajse në çdo klasë, pavarësisht gjendjes së godinës, qytetit apo fshatit ku ndodhej.

Por, pavarësisht gëzimit që sjell kjo ditë, ndër vite shkëlqimi i figurës së mësuesit është zbehur, nga problematikat e sistemit arsimor dhe herë pas herë dhe ndërhyrjes së politikës.

Ndaj, mësuesit pensionistë, kërkojnë angazhim të përgjithshëm për ti rikthyer shkëlqimin shkollës dhe mësuesit.

Rreth 37 mijë mësues të sistemit parauniversitar, festuan ditën që përkujton hapjen e Mësonjtores së Korçës më 7 mars në vitin 1887.



/Ora News.tv/