Feride Rushiti, fituese e çmimit për gra të guximshme

Feride Rushiti, fituese e çmimit për gra të guximshme

Drejtoresha e Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës në Kosovë, Feride Rushiti, është fituese e Çmimit prestigjioz Ndërkombëtar për Gra të Guximshme, që ndahet nga sekretari amerikan i shtetit.

Departamenti i Shtetit do të organizojë ceremoninë për ndarjen e çmimit të premten më 23 mars dhe zëvendës sekretari i shtetit, John Sullivan, do të nderojë dhjetë gra nga e gjithë bota.

Çmimi i nderon gratë anekënd botës, të cilat kanë treguar guxim dhe udhëheqje të pashoqe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe përparimin shoqërorë.

Ky është çmimi i vetëm i departamentit të shtetit, i cili i nderon udhëheqëset nga e tërë bota.

Në arsyetimin për ndarjen e çmimit për zonjën Rushiti thuhet se "për gati dy dekada të punës së saj ajo ka siguruar qasje në shëndetësi dhe drejtësi për të mbijetuarit civil të luftës. Ajo ishte ndër doktorët e parë që njohu nevojën për trajtimin e traumave psikologjike për refugjatët që ikën nga dhuna, posaçërisht të grave dhe grupeve të pakicave. Angazhimi i saj ka çuar në disa fitore ligjore".

Në një njoftim të departamentit të shtetit thuhet se është viti i 12-të që kur përmes ndarjes së këtij çmimi është vlerësuar puna e 120 grave nga 65 vende të ndryshme të botës.

Bashkë më zonjën Rushiti do të nderohen edhe Roya Sadat nga Afganistani, Aura Elena Farfan nga Guatemala, Julissa Villanueva nga Hondurasi, Aliyah Khalaf Saleh nga Iraku, Maria Elena Berini nga Italia. Aiman Umarova nga Kazakistani, L’Malouma Said nga Mauritania, Godelive Mukasarasi nga Ruanda dhe Sirikan Charoensiri nga Tailanda

Kjo është hera e tretë që një grua nga Kosova është fituese e këtij çmimi. Në vitin 2015, këtë çmim e kishte fituar Arbana Xharra, ish kryeredaktore e e gazetës “Zëri” në Prishtinë për "raportimet e saj mbi ekstremizmin fetar dhe ndikimin e tij në shoqëri".

Në vitin 2008, këtë çmim e kishte fituar Valdete Idrizi, veprimtare nga Kosova, për projektet që drejtonte në Mitrovicë, me synimin për të nxitur ripajtimin dhe paqen ndërmjet komuniteteve të ndryshme etnike.

/VOA/

EMISIONET