Nuk e kanë jetuar komunizmin dhe nuk mësojnë në shkolla për kinemanë e asaj epoke. Prandaj Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit organizon projektin e parë pilot me klasat e shtata të shkollave "Bajram Curri" dhe "4 dëshmorët" në Tiranë.

E menduar në formën e një gare mes dy shkollave, përballë një jurie, nëpërmjet pyetjeve të thjeshta janë testuar dijet e fëmijëve mbi krijuesit  dhe aktorët e katër filmave: "Në shtëpinë tonë", "Kur xhirohej një film", "Guximtarët" dhe "Shoku ynë Tili" që kanë në fokus botën e fëmijëve me probleme që mbeten aktuale si divorci i prindërve, bullizmi, pasiguria, trysnia e të rriturve.

Momenti më interesant i konkursit kanë qenë improvizimet. Fëmijëve u është kërkuar të rindërtojnë një dialog të lirë mbi një nga skenat e filmit "Në shtëpinë tonë" dhe "Shoku ynë Tili", duke provuar më kushtet e një sheshi xhirimi të sajuar.

Edhe pse Arkivi i Filmit është disi vetëm në këtë nismë, sepse shkollat nuk japin minimum informacioni për kinematografinë, Iris Elezi është optimiste për vazhdimin e programit edukues përmes kinemasë.

/Ora News.tv/