Procesi i fiskalizimit ose faturimi on-line synojnë të shtojnë kontrollin në transaksionet me para CASH. Gjatë një konsultimi me grupet e interesit zv.Ministri Elton Haxhi deklaroi se kjo nismë është shumë e rëndësishme për të kontrolluar transaksionet midis tatimpaguesve.

Projektligji i qeverisë për futjen e faturave on-line synon që të forcojë kontrollet sidomos ndaj përdorimit të parave CASH. Gjatë një tryeze konsultimi me këshillin tatimor, zv/ministri i Financave Elton Haxhi theksoi se me këto ndryshime synojnë një kontroll më të mirë të transaksioneve të tatimpaguesve, si atyre me para në dorë, ashtu edhe atyre pa para në dorë.

Elton Haxhi: Ndryshimi i këtij sistemi adreson edhe disa çështje të të tjera të rëndësishme qoftë në aspektin e kontrollit tatimor, apo edhe në vlerësimin e riskut dhe në një kontroll të disa komponentëve të tjerë që kanë të bëjnë me gjendjen e CASH-it, me regjistrimin e tatim paguesve apo edhe me regjistrimin e aktiveve afatgjatë.

E pranishme në këtë takim ka qenë edhe Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve ndërsa tryeza e radhës e konsultimit publik  do të jetë me shoqatat e biznesit në datën 27 gusht.

/Ora News.tv/