”Familja Tot” për tre netë me radhë në Teatrin Kombëtar

Premiera e dytë e sezonit të ri artistik “Familja Tot” ngjitet këtë fundjavë në Teatrin Kombëtar me regjinë e Andia Xhungës. Është një premierë që luhet me fantazi dhe interpretim nga aktorët më të njohur të karrierës.

Kjo komedi brilante e autorit hungarez Orkeny Istvan zhvillohet me një humor fin, batuta komike mbresëlënëse dhe emocione. Ngjarjet në komedi nisin ditën që në “Familjen Tot”  vjen për vizite komandanti i djalit dhe ai i torturon me kërkesat e tij të veçanta.

Ironia është tragjike: “Familja Tot” e nderon si bamirës, ndërsa ende nuk e di se djali i tyre është vrarë në luftë. Olta Daku realizoi një interpretim të bukur, me një sinqeritet ekstrem në të gjitha detajet.

Bujar Asqeriu në rolin e kryefamiljarit që bëhet viktimë e majorit të të birit shfaq dinjitet nën petkun e të përulurit dhe bëhet një nga personazhet më të dashur të komedisë.

Indrit Bejleri shpalos në skenë një portret të jashtëzakonshëm të majorit, ku situatat psikopatike të tij, lëvrohen aq natyrshëm sa arrin të krijojë marrëdhënie emocionuese me publikun.14671082_10206839076036214_5846532200784652949_n

Në harmoni me të gjitha pjesët interpretuan bukur Ndriçim Xhepa, Adelina Muça, Sokol Angjeli, Suela Konjari, Vangjel Toçe, Xhevahir Zeneli. Gjatë provave gjenerale në mbrëmjen e së enjtes komedia është shoqëruar me të qeshurat e pareshtura të publikut gjatë interpretimit të skenave të kësaj komedie.

Ndërkohë skenografia e Genc Shkodrani dhe kostumet nga Blerina Kokonës sollën në skenë imazhin e një familje të vërtetë hungareze të kohës që Orkeney tregon.

Kjo premierë absolute do të ngjitet në skenë në datat dt.21-22-23 Tetor,ora 19:00 në Teatrin Kombëtar.

/ata/

EMISIONET