Materialet që nxitin urrejtjen dhe propagandojnë racën e bardhë si më superiore nga çdo racë tjetër nuk do të kenë më vend në platformat Facebook dhe Instagram. Gjiganti i rrjeteve sociale informon se rregullat e reja po diskutoheshin me grupet e interesit prej muajsh, por aplikimi i tyre u shpejtua pas sulmit racist të fundmuajit të kaluar në Zelandën e Re.

Facebook-u ka njoftuar se duke nisur nga java e ardhshme do të bllokojë të gjitha materialet dhe kontot që përkrahin ideologjinë e superioritetit të racës së bardhë.

Penalitetet pritet të zbatohen tek platformat më të mëdha të kompanisë, përkatësisht në "Facebook" dhe "Instagram".

Pas tre muaj konsultimesh me grupet e interesit, me shoqërinë civile dhe akademikët, gjiganti i medieve sociale informoi të mërkurën se përmbajtjet që përhapin urrejtje ndaj racave të tjera nxitin instinktet e dhunës në individë ose grupe të organizuara.

Kompania tha se kërkimi i disa terma kyç që përkojnë me racizmin do i drejtojë automatikisht përdoruesit në faqen e një organizate e cila i këshillon ata si t'i largohen propagandës.

Ndryshimet e fundit vijnë pas sulmit racist të 29 marsit në Zelandën e Re, që rezultoi tragjik për të paktën 50 besimtarë të fesë myslimane ndërkohë që faleshin në xhami.

Autori i ngjarjes dyshohet se ishte një mbrojtës ekstremist i teorisë së nacionalizmit të lëkurëbardhëve dhe kundër emigrantëve.

Zhvillimet e fundit janë mirëpritur sakaq nga kryeministrja zelandeze, Xhesinda Ardërn, e cila paralajmëroi, sikurse Gjermania dhe Irlanda, se po punon për të përditësuar legjislacionin, duke parashikuar penalitete për kompanitë e internetit që transmetojnë materiale me prirje ekstremiste.

Nacionalizmi i bardhë frymëzohet nga ide të darvinizmit social dhe të nazizmit, dhe përkufizohet si një ideologji e personave që besojnë se lëkurëbardhët janë raca më e avancuar në botë, që duhet të dominojë jetën politike, ekonomike dhe kulturore të vendit, dhe se mbijetesa e tyre është e rrezikuar nga racat e tjera.

/Ora News.tv/