Të djathtët grekë fituan gati dyfishin e mandateve në zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën të dielën. Demokrati, Kirjakos Micotakis, pritet të betohet si kryeministër i vendit në orët në vijim, ndërsa rivali i tij në largim, Aleksis Cipras, e pranoi humbjen dhe u zotua të udhëheqë opozitën me përgjegjësi dhe dinamizëm.

Demokratët në Greqi kanë arritur të fitojnë shumicën absolute në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Partia e kryeministrit të ardhshëm, 51-vjeçarit Kirjakos Micotakis, mori rreth 40 për qind të votave ose 158 mandate, ndërsa rivali më i afërt, kreu në largim i ekzekutivit, Aleksis Cipras, 8 për qind më pak ose 86 mandate.

Në fjalimin e fitores, konservatori Micotakis premtoi përmbushjen e zotimeve elektorale për taksat të ulëta, rritje të investimeve dhe të vendeve të punës.

Mitsotakis: "Ju kërkova një mandat të fortë për të ndryshuar Greqinë, dhe ju ma ofruat me bujari. Nga sot, nis një betejë e vështirë por e bukur."

Shefi i "Sirizës", Cipras, e pranoi humbjen por tha se partia e tij do të mbetet një forcë e përgjegjshme dhe dinamike opozitare.

Tsipras: "Ne e respektojmë plotësisht votën popullore. Për ta sjellë Greqinë aty ku është sot na duhej të merrnim vendime të vështira me kosto të rënda politike."

Parlamenti i ri grek do të përfaqësohet në katër vitet e ardhshme nga katër parti të vogla politike, ndërkohë që neonazistët e "Agimit të Artë" nuk fituan asnjë mandat.

Në zgjedhjet parlamentare kandiduan edhe pesë shqiptarë, si Eda Gemi, Fatos Malaj, dhe Kristos Ducis për partitë e vogla, Anxhela Filo për partinë "Demokracia e Re" dhe Jorgos Trihas për "Sirizën".

Micotakis, është pasardhësi i një dinastie të njohur politike dhe djali i ish-kryeministrit Konstantinos Micotakis në fillimvitet 90.

Fitoren e tij e uruan brenda pak orësh disa personalitete shqiptare dhe të huaja, si kryetari i demokratëve shqiptarë Lulzim Basha, presidentët e Serbisë, Turqisë, dhe ai i Komisionit Europian, Zhan-Klod Junker.

Kryeministri i ri pritet të betohet të hënën dhe të caktojë kabinetin e ri qeverisës.

/Ora News.tv/