Euroaktiv: Të negociosh hyrjen në BE nuk është si të negociosh çmimin e një tapeti

Euroaktiv: Të negociosh hyrjen në BE nuk është si të

Edhe pse BE-ja kohët e fundit ka qenë e zënë me çështje si Brexit-i apo kriza e emigrimit, ka gjetur kohën të flasë për integrimin e Ballkanit Perëndimor. Një integrim i qëndrueshëm i rajonit është lajm i mirë në fakt pasi mund të çojë në një Evropë të federalizuar dhe në një Bashkim të plotë, shkruan Bernard Kouchner.

Bernard Kouchner është Ministri i mëparshëm i Francës për Punët e Jashtme dhe Europën, bashkëthemelues i “Mjekët Pa Kufij”, dhe themelues i “Mjekët e Botës”. Ai ka qenë kreu i administratës së Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Ndërsa ministrat e BE-së u përballën javën e kaluar me probleme thellësisht të vështira që vijnë nga çështja e emigrantëve, e Brexit-it dhe e rritjes së populizmit, ata arritën të gjenin gjithashtu, një mënyrë për të shmangur pengimin e integrimit të vazhdueshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Çështja në fjalë ishte nëse dhe kur mund të nisin negociatat zyrtare me Maqedoninë dhe Shqipërinë, pavarësisht shqetësimeve të Francës, Holandës dhe Danimarkës. Ministrat ranë dakord t’i fillojnë negociatat pas një viti, duke autorizuar nisjen e menjëhershme të procesit analitik paranegociator.

Rezultati përfundimtar duhet të vijë pa asnjë vonesë, për t’i hapur rrugën një perspektive reale për këto dy vende që të ecin drejt anëtarësimit së bashku, mbase në 2025, siç deklaroi Presidenti i Komisionit Jean-Claude Juncker.

Ky është lajm i mirë për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Por është edhe lajm shumë i mirë për Evropën federale, që pothuajse po e përfundon integrimin e kufijve territorialë jugorë të kontinentit.

Gjashtë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, pesë nga të cilët përbënin ish-Jugosllavinë dhe Shqipëria, duan të jenë pjesë.  Nga këto, Serbia dhe Mali i Zi janë tashmë në proces negocimi. Komisioni Europian beson se Shqipëria dhe Maqedonia janë gati t’i bashkohen.

Shumica e anëtarëve të BE-së janë dakort por vendimi kërkon votë unanime. Si përfundim, u vendos që të fillonin menjëherë përgatitjet për negociatat dhe që bisedimet formale të nisin pas një viti.

Le ta sqarojmë se ç’do të thotë kjo. Të negociosh hyrjen në BE nuk është si të negociosh çmimin e një tapeti. Negocimi me BE-në është një proçes ku Blloku vendos standarde dhe kandidatët për anëtarë mundohen t’i plotësojnë ato. 

Në fakt, Maqedonia dhe Shqipëria kanë qënë duke negociuar dhe plotësuar standarte prej vitesh, përmes reformimit, rishikimit dhe ristrukturimit të institucioneve qeveritare. Maqedonia u bë kandidate për anëtarësim në 2005, Shqipëria në 2014. Në të dyja rastet u vendosën kushte që të dyja duhet t’i plotësonin para se të mund të fillonin negociatat formale. Kjo është pika ku ndodhemi tani.

Në rastin e Maqedonisë, çështja kritike ka qenë emri i saj, që është edhe emri i një province të rëndësishme në Greqinë fqinje. Kjo është një çështje mjaft emotive për të dyja vendet, që mban mbi vete shekujt e shumtë të identitetit historik dhe kulturor.

Së fundmi, me negociatat e BE-së duke luajtur rol nxitës, qeveria e Maqedonisë ka rënë dakord për një kompromis. Do të quhet Republika e Maqedonisë së Veriut, nëse parlamenti dhe referendumi pasues gjithashtu bien dakord për këtë.

Në Shqipëri, Komisioni Evropian caktoi pesë kushte për të bërë të mundur hapjen e negociatave zyrtare. Komisioni thotë tashmë se ato janë plotësuar të gjitha dhe se ka parë veçanërisht me shumë vëmendje përpjekjet e Tiranës për të pastruar sistemin e drejtësisë.

Kjo ka qënë një betejë e jashtëzakonshme kundër interesave të ngushta, të cilat, herë pas here, pothuajse kanë paralizuar procesin politik dhe dialogun qytetar. Modeli i Shqipërisë për reformën në drejtësi po rekomandohet tashmë për zbatim në gjithë rajonin dhe ndërmjet disa prej anëtarëve aktualë të BE-së.

Në shumë drejtime, qeveria e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama i ka kaluar pritshmëritë dhe madje ka arritur disa standarde që do ta udhëheqin gjatë negociatave formale. Shqiptarët, duke përfshirë edhe shqiptarët etnikë në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor janë ndër më entuziastët lidhur me BE-në.

I shtyrë nga kjo mbështetje në vend, Rama ka qenë në gjendje të ndikojë zhvillimet në rajon. Është e drejtë të thuhet se pa inkurajimin e tij, revolucioni që solli zgjedhjen e një qeverie reformiste në Maqedoni nuk do te kishte ndodhur, ndërsa marrëveshja për emrin me Greqinë do te kishte qene e pamundur (pa ndikimin e Edi Rames ne partitë dhe komunitetin shqiptar).

Në mënyrë të ngjashme, roli në prapaskenë i Ramës në nisjen dhe perparimin e bisedimeve midis Serbisë dhe ish-provincës së saj, Kosovës ka qënë tejet jetik.

Me fjalë të tjera, Rama po bën atë që BE-ja, e fokusuar diku tjetër, te Brexit-i, kriza e migrantëve dhe rritja e reaksionarëve populistë, ishte tëpër e shpërqëndruar për të bërë në Ballkanin Perëndimor: të përgatiste rajonin në tërësi për anëtarësimin në BE, duke e plotësuar kështu Unionin me pothuajse gjithë Europën.

Tanimë, çështja nuk është nëse Shqipëria dhe Maqedonia mund të realizojnë reforma më të thelluara, që sipas BE-së janë të nevojshme. Qeveritë e të dyja vendeve thonë se ndryshimi po shtyhet me shumë prej interesit kombëtar, sesa për të kënaqur Brukselin.

Pyetja e vërtetë është nëse BE-ja mundet që të vërë rregull brenda shtëpisë së vet deri vitin e ardhshëm dhe të ketë aq besim në të ardhmen, sa të fillojë të mendojë sërish për zgjerimin e mëtejshëm.

Euroactiv

EMISIONET