Të shtunën në fushë zbresin, Cesena dhe Siena, dy nga skuadra ku Erjon Bogdani ka luajtur. Shtatlarti që ende nuk ka gjetur një skuadër, gjatë një interviste për gazetën "Resto de Carlino" e pranon se dëshira e tij më e madhe ishte rikthimi te Siena, skuadër me të cilën mbylli kontratën sezonin e shkuar. Ai pohon se rreth një muaj më parë nisi bisedimet me klubin toskan por edhe me disa skuadra të tjera, por shton se nuk arriti të konkretizonte kalimin te asnjë prej skuadrave. Tashmë në moshën 36-vjeçare, Bogu i lë të hapur të gjitha mundësitë, duke e pranuar se mund të largohet përfundimisht nga futbolli i luajtur, por ai nuk përjashton as mundësinë e një viti pushim dhe më pas rikthimin e mundshëm. Sulmuesi i kombëtares shqiptare që nuk është grumbulluar në ndeshjet e fundit nga De Biasi pikërisht për shkak të mungesës së një skuadre, pohon gjithashtu se disa alternativa të tjera janë edhe detyrat si vëzhgues talentesh apo drejtor sportiv. Në fund, 36-vjeçari nënvizon se Federata Shqiptare i ka bërë me dije përherë se në momentin që ai do të largohet nga futbolli, në këtë institucion do të ketë përherë një vend për të. Erjon Bogdani e nisi karrierën si futbollist në vitin 1994 me fanellën e Partizanit, ndërsa 3 sezone më vonë u transferua në Turqi te skuadra e Gençlerbirligi ku u aktivizua për një vit dhe më pas u rikthye në Ballkan duke veshur fanellën e NK Zagreb. Debutimi në Itali erdhi në vitin 2000 me Regginan, ndërsa më pas karriera e tij vazhdoi te Salernitana, Verona, Chievo, Livorno, Cesena e Siena.

/Ora News.tv/