Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të martën se njohja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit do të ishte “vija e kuqe” për myslimanët. Ai paralajmëroi se një hap i tillë do të detyronte Ankaranë të ndërpriste lidhjet diplomatike me hebrenjtë.

"Kjo mund të shkojë deri në ndërprerjen e marrëdhënieve tona diplomatike me Izraelin. Ju nuk mund të merrni një hap të tillë ", tha Erdogan në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë për Drejtësi dhe Zhvillim.

Presidenti turk tha se do të bënte thirrje për një takim të Organizatës për Bashkëpunim Islamik për të kundërshtuar çdo lëvizje që njeh Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit.

Ai tha se masa nuk do të ishte vetëm shkelje e së drejtës ndërkombëtare, por gjithashtu "një goditje e madhe për ndërgjegjen e njerëzimit".

Presidenti i SHBA Donald Trump pritej të vendoste për çështjen të hënën, por paralajmërimet publike nga aleatët dhe thirrjet telefonike private nga disa udhëheqës botërorë detyruan Shtëpinë e Bardhë të shtynte vendimin.

"Nëse statusi i tanishëm i Jerusalemit ndryshohet dhe një hap tjetër ndërmerret ... kjo do të ishte një katastrofë e madhe," tha zëvendës/kryeministri turk Bekir Bozdag gjatë një konference shtypi të transmetuar të hënën, cituar nga AFP.

"Do të shkatërronte plotësisht procesin e brishtë të paqes në rajon dhe do të çonte në konflikte të reja, mosmarrëveshje të reja dhe trazira të reja".

Izraeli e konsideron Jerusalemin si kryeqytetin e tij, ndërsa Palestina shpreson që Jerusalemi lindor ku ndodhet edhe xhamia Al-Aksa të jetë kryeqyteti i vet.

Izraeli ka insistuar që Jerusalemi është kryeqyteti i saj, por të gjitha ambasadat e huaja janë të vendosura në Tel Aviv. Në tetor, Trump hoqi përkohësisht dorë nga një ligj që kërkon që SHBA-ja të zhvendosin ambasadën e saj në Jerusalem. Akti i Ambasadës për në Jerusalem është miratuar gjatë mandatit të parë të Bill Klintonit në vitin 1995, por që nga ajo kohë është shtyrë çdo gjashtë muaj nga presidentët amerikanë.

/Ora News.tv/