Greqia e ka konsideruar të panegociueshëm Traktatin e Lozanës, pavarësisht insistimit të Turqisë për të ndryshuar disa pika të marrëveshjes. Qëndrimi i është bërë i qartë edhe Presidentit Erdogan, gjatë vizitës së këtij të fundit në Athinë. Kreu i shtetit helen, Prokopis Pavlopulos, tha se akordi mbulon të gjitha çështjet problematike. Megjithatë, Erdogan ka këmbngulur edhe njëherë se pakti duhet të rishikohet.

Traktati i Lozanës vijon të mbetet një çështje problematike në raportet mes Greqisë dhe Turqisë, gjë që u vërejt edhe në vizitën e Presidentit Erdogan në Athinë.

Kërkesa e liderit të Ankarasë për të riparë akordin e arritur 94 vite me parë, nuk është përkrahur nga Presidenti helen, Prokopis Pavlopulos.

Ky i fundit u shpreh gjatë takimit se në qasjen e Athinës zyrtare, marrëveshja nuk ka nevojë të pësojë ndryshime, pasi rregullon çdo çështje në lidhje me statusin e ishujve të Egjeut lindor, në raport me Greqinë dhe Turqinë.

Pavlopulos: "Ky traktat për ne është i panegociueshëm, pasi nuk ka asnjë boshllëk. Nuk i nevojiten rishikime apo ndryshime. Traktati është i vlefshëm ashtu sikurse është aktualisht, mbulon çdo cështje të cilat duhet të mbulojë si dhe besoj se nuk lë asnjë hapësirë për zona gri."

Megjithatë, Erdogan edhe njëherë përsëriti kërkesën e tij.

Erdogan: "Ka shumë çështje të diskutueshme në traktatin e Lozanës. Nuk është e thjeshtë. 94 vite kanë kaluar dhe shumë gjera kanë ndodhur përgjatë kësaj kohe. Nëse i ekzaminojmë të gjitha problematikat, besoj se të dyja palët do të biem dakord se mund të ndryshojmë disa pika të akordit."

Vizita e Erdogan në Athinë, ishte e para për një President të Turqisë pas më shumë se 65 vitesh.

Gjatë qëndrimit të tij në Athinë, lideri i Ankarasë u prit edhe nga Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, ku tematikat e diskutuara kanë qënë të njëjta.

/Ora News.tv/