Zyrtarisht në epidemi gripale, mbi 19 mijë persona të prekur

Zyrtarisht në epidemi gripale, mbi 19 mijë persona të prekur

Zyrtarisht Shqipëria është futur në epidemi gripale, ku brenda një jave janë regjistruar mbi 19 mijë persona të prekur. 

Por sipas ekpsertëve të ISHP, që po monitorojnë situatën, nuk ka vend për panik në popullatë, pasi deri më tani nuk janë regjistruar raste me komplikacione të rënda.

Artan Simaku: “Zyrtarisht vendi është në epidemi gripale, mirëpo nuk ka vend për panik sepse nuk janë shfaqur raste të rënda ose të pamenaxhueshme. Aktualisht numri i të prekurve është 19 500 raste me infeksione respiratore në javë. Situata nuk varet nga shifrat, varet nga ashpërisa klinike e sëmundjes, nga numri i rasteve të rënda, numri i vdekjeve nga mungesat në shkolla”      

Specialistët bëjnë apel që të mos neglizhohet gripi dhe qytetarët të paraqiten për çdo shqetësim pranë mjekut të familjes, për të shmangur komplikacionet nga mos trajtimi i duhur.

Artan Simaku: “Individët të cilët ndjehen të sëmurë duhet të paraqiten sa më herët te mjeku i familjes sepse paraqitja sa më herët te mjeku i familjes parandalon komplikacionet dhe shtrimin në spital. Duhet të evitohet marrja e vetëmjekimit ose marrja e medikamenteve vet në farmaci. Gjithashtu, personat të cilët përbëjnë grupet me risk të popullatës, të cilët janë fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna dhe personat e moshës së tretë që kanë edhe sëmundje shoqëruese të cilët nuk janë vaksinuar ende, duhet të vaksinohen”.     

Paralelisht me gripin në vendin tonë janë duke qarkulluar edhe virozat stinore, specialistët sqarojnë se ku qëndron ndryshimi mes tyre.

Artan Simaku: “Dallimi i gripit nga virozat është se gripi është një sëmundje klinikisht më e rëndë dhe kriteri kryesor është temperatura e lartë mbi 38, ndërsa virozat e tjera respiratore kanë një klinikë të ngjashme me gripin por më të butë dhe mund të shfaqen me një temperaturë më të ulët se sa 38” 

Sipas specialistëve të ISHP, megjithëse gripi është një sëmundje e paparashikuar, gjatë javëve në vazhdim pritet që të ketë një ulje të të prekurve.   

EMISIONET