Autoritetet shëndetësore raportojnë për 24 mijë persona të prekur me grip në vendin tonë dhe 164 pacientë të fruthit. Ka një zbritje me 1000 të rasteve të prekurve me grip, por rreziku ende nuk ka kaluar. Mjekët thonë se ndryshimi i motit dhe luhatja e temperaturave deri në 10 gradë duhet ti bëjë qytetarët vigjilentë ndaj sëmundjeve virale.

24 mijë persona rezultojnë të prekur me infeksione respiratore, 1 mijë më pak krahasuar me javën e kaluar.

Shifrat në nivel kombëtar tregojnë se ka një rënie të numrit të personave të prekur me grip por mjekët e familjes thonë se ende nuk ka kaluar rreziku.

Në fakt, luhatjet e menjëhershem të temperaturave gati me 10 gradë, duhet të bëjë më vigjilente personat me imunitet të dobët pasi rrezikojnë sërish të preken nga viruset në qarkullim.

Bruna Shiroka: Ftohja e motit riskon për një trend përsëri në rritje të rasteve të evidentuara me sëmundje virale, kryesisht me grip.

Drejtorja e Qendrës Shëndetësore nr 3 dhe njëherazi mjeke familje, Bruna Shiroka, thotë se rishfaqja e fruthit me këtë ritëm duhet ti bëjë nënat më të ndjeshme për të vaksinuar fëmijët e tyre.

Në nivel kombëtar, ISHP raporton për 164 persona të prekur me fruth.

Bruna Shiroka: Në praktikën tonë dje dhe sot raste të evidentuara me fruth, është një moment për ngritje të vëmendjes kryesisht të prindërve që kanë fëmijë në kalendarin real të vaksinimit, pra në moshën 1 vjeçare, dhe rivlerësimin e tyre pas 5 vitesh me vaksinë rinjohëse për fruthin, të afrohen pranë qendrave për ta marrë vaksinën. Ende është problem refuzimi apo rezistenca që bën prindi për të marrë vaksinimin e fruthit në vaksinimin bazë.

Por a rrezikojnë femijët që janë të vaksinuar me MMR të preken nga fruthi? Mjekët thotë se imuniteti është i përjetshëm.

Bruna Shiroka: Lë imunitet të përjetshëm dhe një nënë me imunitet të përjetshëm të fruthit transmeton antitrupa mbrojtës dhe tek fëmija deri në 6 mujorin e parë të jetës. Risk përbëjnë edhe fëmijët e kësaj grupmoshe 6 muaj deri në 1 vit, megjithëse me një vendim të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë kam dëgjuar që mosha në cilën ofrohet vaksina e fruthit ka arritur deri në 9 muaj.

Në qendrat shëndetësore evidentohet një ndërgjegjësim i madh i personave që i përkasin brezit të viteve '80-'90 që janë paraqitur për tu vaksinuar.

/Ora News.tv/