"Engjëjt e Amerikës", shfaqja tabu në Amerikë ngjitet në skenën e ArTurbina

"Engjëjt e Amerikës", shfaqja tabu në Amerikë

"Engjëjt e Amerikës" është drama e radhës që do vihet në skenën e ArTurbina nga regjisori Arben Kumbaro.

Vepra e guximshme dhe provokative flet për tema gjithëpërfshirëse, për dashurinë, seksin, homoseksualitetin, fenë, politikën, për Zotin, për të ndryshmit nga ne dhe për kuptimin e jetës.

"Engjëjt e Amerikës" ka qenë tabu dhe deri diku e censuruar në SHBA. Dy nga aktoret që do vënë në skenë veprën, Ina Gjonçi dhe Luli Bitri, të ftuara në emisionin Tempora në RTV Ora, zbuluan më shumë detaje nga shfaqja.

Luli Bitri: "Është e guximshme jo vetëm për aktorët por edhe për regjisorin që po e vë në skenë. Një realitet shqiptar që ka probleme akoma më të thella dhe më ekzistenciale sesa trajtimi i një shfaqje që ka qenë tabu ndoshta edhe në SHBA. Ka një fjalor provokativ. 

Unë jam një engjëll që vetëm pamjen e engjëllit nuk e kam. Jam një personazh fryt i imagjinatës së sëmurë, mendjes, shpirtit, zemrës së sëmurë të një djali i cili vuan nga SIDA dhe vuan nga humbja e dashurisë. Jam një personazh që përpëlitem dhe në këto përpëlitjes midis jetës dhe vdekjes, në mungesë të dashurisë, krijon një engjëll si vjen si mesazher i krijuesit që vë në dyshim progresin përpara."

Sonila Meço: Pse është kaq provokuese vepra?

Ina Gjonçi: "Unë mendoj se vepra është provokuese sepse në thelb flet për luftën e përbotshme, e njeriut me veten. Të gjithë personazhet janë vendosur përpara frikërave të tyre më të mëdha, nuk ka të bëjë vetëm me homoseksualitetin apo me politikën. "Engjëjt e Amerikës' sigurisht provokon sepse ky imazhi që i vjen këtij djali, i cili nuk është vetëm një i sëmurë por edhe një profet që rrëfen atë që do ndodhë një ditë, ky engjëll nuk është fryt i një fantazie krejt të sëmurë, ky engjëll thotë të vërteta të mëdha. Rrallëherë dashuria ka ardhur në teatër në të gjitha format."

Ndërsa aktorja Bitri zbuloi arsyen pse duhet ta ndiqni shfaqjen.

Luli Bitri: "Ejani në teatër nëse jeni gati të përballeni me një fjalor të guximshëm, me aktorë të guximshëm dhe me një tematikë që flet përtej jetës së përditshme."

"Engjëjt e Amerikës" do rikthejë në skenë e teatrit pas kaq shumë kohësh aktoren Luiza Xhuvani, në rolin e Hana Pit dhe Etel Rosenberg.

Shfaqja do vihet në skenën e teatrit kombëtar ArTurbina në datat 27 dhe 28 prill dhe  do zgjasë  2 orë e 10 minuta.

EMISIONET