Ëndrrat nuk kanë nevojë për faturë fiskale

Ëndrrat nuk kanë nevojë për faturë fiskale

Ka dy tema që nuk kanë munguar kurrë në verat e nxehta shqiptare: turizmi në pjesën perëndimore të atdheut dhe marëdhëniet mes dy pjesëve të atdheut. Në të dy rastet gjaknxehtësia tipike e shqiptarit ballkanas që thotë fjalën e fundit në fillim, ka qenë edhe fillimi, edhe fundi i çdo debati. Që kur sherri shkon në majë, askush nuk kujton shkakun pse nisi. Si në një çift të dashuruarish, që në vend të puthjeve, shkëmbejnë urrejtje. Shto këto edhe paralajmërimet e opozitave që me të mbaruar pushimet verore, pra, sapo të ndrohen kostumet trendy të banjos me kostumet intelektuale të politikës në trend, do të ndodhë hataja, dhe tabloja e jetës në hapësirat shqiptare, i ka të gjitha. Ajo ka limontinë e ëmbël të plazhit, dembelizmim e pafajshëm të pushimeve, ëndjen e kthjellët të thashethemeve edhe “hashashin” trallisës së politikës që si një aktor që reciton të njëjtën pjesë insiston: unë nuk fle dhe nuk pushoj kurrë!

Eshtë e vërtetë se çmimet në vende të caktuara të bregdetit shqiptar kanë gjithë çmendurinë e vapës dhe mungesën e logjikës normale, përveç logjikës së babëzisë dhe ngutit të babëzitur për të marë në më pak se tre muaj, gjithë të ardhurat e një viti të tërë. Me një sezon pushimesh të reduktuar në më pak se një stinë, të shesësh vezën si frëngu pulën, është një lloj zgjidhjeje dhe zgjedhjeje.

Por bota nuk është vetëm bardh e zi. Në të njëjtën kohë, bregdeti shqiptar afron një pafundësi zgjedhjesh të tjera shumë herë më të lira. Që nga marketet që shesin vezë e deri tek gjithfarë minirestorantesh që afron gjithashtu ushqim të lirë. Problemi i vërtetë nuk janë faturat që postohen dhe ripostohen për të treguar sa i shtrenjtë është njëri apo tjetri lokal. Problem është që ende shqiptarët e “lindur zotërinj” nuk e kuptojnë dot se turizëm do të thotë shërbesë.

Që zot është klienti, ai që paguan. Që “pronari” i resortit, domethënë ai tipi që rrëmbeu vite më parë tokën buzë detit për të bërë në fillim një kioskë druri, pastaj një dykatësh me blloqe betoni dhe më pas, me tre – katër shtesa të tjera vit pas viti, bëri hotelin, për të cilin di se është detyrë e shtetit t’ja legalizojë, pra, ai tipi duhet të dijë se është detyrë e tij të buzëqeshë edhe kur i dhemb koka, të thotë faleminderit edhe kur nuk mer gjë në këmbim dhe të thotë më fal, edhe kur nuk ka bërë asnjë faj.

Ky është turizmi. Kush e mendon ndryshe, le të çapitet në Turqi dhe të shohë si sillen fakirat që jetojnë dhe kanë bërë para me turizmin. Natyrisht jo pronarët, por ata që punojnë për ta. Kështu duhet të jetë dhe politika, në fakt. Që mbasi mer çelësat e pushtetit teorikisht duhet të sillet si shërbenjëse dhe jo si pronare. Këtej dhe andej kufirit. Majtas apo djatjtas kufinjve tashmë të zhdukur ideologjikë që ndajnë-bashkojnë kundërshtarët. Kush e mendon ndryshe, le të çapitet në veri të kontinentit dhe të kuptojë diferencën dhe të besojë se ndryshimi do të vijë vetëm kur të ndodhë shëmbimi i frazës lokale: “Të kam dhënë votën, çdo më japësh ti”, me frazën: “Paguaj taksa, si i shpenzon ti paratë e mia”!

Ndoshta as Hashim Thaçi nuk e kishte menduar se fraza e tij për korrigjim kufinjsh, do të sillte këtë shpërthim mediatik. Në fakt duhet ta kishte menduar. Për kufinjtë është bërë rregullisht luftë në Ballkan, luftë nga ajo e vërteta duke nisur nga lufta me gurë e duke mos u mbyllur tek ajo me avionë në qiell. Shumë më shumë se kjo luftë në media të cilën presidenti Thaçi kërkon ta shuajë herë duke i hedhur ujë e herë duke e spërkatur me benzinë. Lehtësia e padurueshme me të cilën pastaj gjithkush kërkon të rreshtohet në llogoren e facebook-ut dhe rrjeteve sociale me bindjen e thellë se sjell eureka-n e munguar, nuk është tragjike. Eshtë thjesht komike. Dramatike e bën vetëm ndërhyrja e Majkos që u jep në të njëjtën kohë të drejtë të gjitha palëve, këtej dhe andej kufirit që ndan mejtime të ndryshme në të njëjtën botë shqiptare që dikur Zogu i Parë, kur u vetëshpall NaltMadhëri, thonë se e kishte quajtur vendin e një milion Madhërive.

Pak gjakftohtësi në këtë gusht të nxehtë do t’i bënte mirë të gjithëve. Aq sa për të kuptuar se Shqipëria nuk është qendra e botës dhe mbi të gjitha, sovraniteti i saj është i kufizuar. Madje edhe sovraniteti për të qenë të marrë, do të kufizohet edhe më tej. Për të ndaluar marrëzitë me “sovranitet reciprok” mes shqiptarëve këtej dhe andej Morinës.

Dhe në fund shtatori. Për të mos shkuar më tej, por në tetë vjetët e tyre në opozitë socialistët prisnin çdo shtator të ndodhte diçka e madhe. Njëlloj siç priste dikur Evropa hapjen e Frontit të Dytë. Demokratët nuk bëjnë ndryshim. Edhe ata presin të kenë shansin e tretë në qeverisje, si socialistët që prisnin si dikur Evropa hapjen e Frontit të Dytë. Por kështu siç e kanë nisur, mund të jenë të parët që të provojnë një opozitë me mandat të tretë. Gusht hesapi dhe hesapi gushti. Endrrat nuk kanë nevojë për faturë fiskale. Njëlloj si WhatsApp-i që afron shërbim pa pagesë për të bërë sherre “badiava’”.

EMISIONET