Në pikat doganore me Greqinë ka nisur fluksi i largimit të emigrantëve. Vetëm në 24 orët e fundit traun e doganës në dalje e kanë kaluar mbi 6000 persona. Fluksi pritet të rritet në orët në vijim.

Emigrantët që jetojnë e punojnë në Greqi janë të parët që po largohen pasi kaluan festat e ndërrimit të vitit të ri pranë familjeve në Shqipëri.

Që prej pasdites së të martës fluksi në dalje nisi pranë pikave të kalimit kufitar të Kapshticës në Korçë e Kakavijës në Gjirokastër.

Në këtë të fundit po regjistrohet orë pas ore fluks në rritje i këmbësorëve dhe automjeteve.

Në 24 orët e fundit sipas policisë kufitare kanë dalë 4522 shtetas shqiptarë dhe 647 me 1350 automjete.

Pala shqiptare punon me 4 sportele, ndërsa ajo greke me 3 të tilla, duke shmangur rradhët e pritjes në kufi.

Ndërsa në hyrje në këtë pikë kufitare janë regjistruar 1844 shtetas shqiptarë.

Fluksi në dalje nisi nga pika e kalimit kufitar të Kapshticës në Korçë, ku gjatë ditës së martë dolën 2462 shtetas shqiptare, duke krijuar edhe radhë në orët e pasdites.

241 546 shtetas shqiptarë dhe të huaj, hynë në Shqipëri në ditët e fundit të vitit që tashmë pritet të nisin të kthehen drejt vendeve ku jetojnë e punojnë.

Ndërkohë që në vijim pritet të nisë edhe fluksi nga i largimeve nga porti i Durrësit.

Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit thotë se ka marrë të gjitha masat për të menaxhuar situatën.

Konkretisht në pikën kufitare të Kakvijës: 

Kanë hyrë 1844 shqiptarë

Kanë dalë 4522 shqiptarë

Kanë hyrë 647 të huaj

Kanë dalë 1016 të huaj

Kanë hyrë 393 mjete shqiptare

Kanë dalë 1003 mjete shqiptare

Kanë hyrë 208 mjete të huaja

Kanë dalë 349 mjete të huaja

/Ora News.tv/