54 ambasadorët afrikanë në Kombet e Bashkuara i cilësuan si “raciste, ksenofobe dhe skandaloze” komentet e Donald Trump, në të cilat presidenti amerikan i referohej shteteve afrikane, Haitit dhe El Salvadorit si “vende të ndyra”. 

Diplomatët organizuan një seancë emergjente përpara se të dilnin me një deklaratë të përbashkët ku ata bënë apel që presidenti Trump të tërhiqet dhe të kërkojë ndjesë. Ambasadorët gjithashtu falenderuan të gjithë qytetarët amerikanë të cilët dënuan komentet.

Më herët gjatë javës, presidenti Trump zhvilloi një takim me dy ligjbërës për të diskutuar një propozim për një plan të ri emigracioni. Mediat amerikane raportuan se presidenti shfaqi irritim në momentin kur biseda u përqëndrua tek qytetarët e El Salvadorit dhe Haitit dhe emigrantëve nga Afrika. “Përse gjithë këta njerëz nga vende të ndyra po na vijnë këtu?,” pyeti presidenti, sipas burimeve të shumta prezente në këtë takim.

 Raportimet mediatike nxitën një ortek akuzash për racizëm nga mbarë bota. Përmes llogarisë së tij në Twitter, Trump mohoi përdorimin e frazës vulgare, por pranoi se kishte përdorur “gjuhë të ashpër” gjatë mbledhjes në Zyrën Ovale

/Ora News.tv/