Sonata e Elida Dakolit, pianistja klasike shqiptaro-amerikane imazh i kompanisë Mason&Hamlin

Sonata e Elida Dakolit, pianistja klasike shqiptaro-amerikane imazh i

Kjo është Elida Dakoli, një pianiste që e mbërthen audiencën me pasionin dhe tingujt që çlirohen nga interpretimi i saj virtuoz mbi tastierën e pianos.

Është e respektuar dhe e ndjekur në koncertet e saj në SHBA. Por me siguri i shijojnë edhe duartroktijet e sallës modeste të Akademisë së Shkencave.

Është rikthyer për herë të parë pas 10 vjetësh dhe ka ardhur si një shqiptare e vërtetë, me duart plot. Një piano dhuratë për akademinë nga artistja me sy shprehës dhe buzëqeshje të mprehtë, që është dhe imazh i kompanisë së njohur Mason&Hamlin.

Jeta e Elidës, nënë e tre fëmijëve është po aq e vrullshme dhe shenjuese sa një sonatë, që ajo e interpreton mrekullisht falë talentit dhe punës së palodhur që nga mosha 6 vjeçare kur zbuloi pasionin për pianon.

Elida ka lindur në këtë shtëpi në qytetin e Durrësit, që shërben edhe si spirancë ku prehen përjetimet e saj pas rrugëtimeve të gjata, të mundimshme, suksesit të kërkuar pas cdo koncerti, cdo takimi, nga Vjena në Texas, në orët e studimit dhe të zhytjes në interpertimin përmbushës të pjesëvë muzikore

Këto mure janë dëshmitarë të koncerteve të para të Elidës, kur ishte ende fëmijë dhe fqinjët e preknin gjumin me notat e Bethovenit, Mozartit, Chopen-it.

Pinjolle e një familjeje të përkushtuar ndaj shkencave mjekësore, Elida Dakoli e ndikuar nga prindërit ka studiuar dhe për farmaci për 4 vite. Nuk arriti ta përfundonte vitin e 5 dhe të diplomohej në këtë profesion pasi betejën për karrierën e saj e fitoi pasioni për pianon.

Studimet master e çuan në Teksas, ku perfeksionoi talentin me saktësinë e një profesionisteje me dhunti të çmuar artistike.

Jeta e Elidës është një sonatë me disa komponentë, persekutimi i familjes së saj gjatë komunizmit, mundësia për t’u zhvilluar dhe për të jetuar në pentagramë suksesi dhe dëshira për t’u rikthyer dhe për të kërkuar drejtësi ndaj viktimave siç ishin gjyshërit e saj, një varr për t’i përkujtuar dhe reflektim i munguar i shoqërisë ndaj një periudhe të errët me pasoja fatale për shqiptarët.

Artisja me famë ndërkombëtare Dakoli ka vizituar në Tiranë edhe Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Shprehet e vendosur të japë kontributin e saj për të për të zbardhur të vërtetën. një rrugë është bashkëpunimi me institute homologe në Amerikë, që rreken të hedhin dritë mbi krime të pandëshkuara.

Rrëfimet e prindërve për atë periudhë i ka ruajtur me fanatizëm dhe pavarësisht peshës së tyre emocionale dhe historike, është ulur t’i hedhë në një libër, që jo pak herë gjatë shtatzanisë e ka detyruar bashkëshortin t’i kërkonte ta ndërpriste përjetimin e kujtimeve të dhimbshme.

Pianistja Dakoli ka projekte edhe ndaj personaliteteve që e kanë frymëzuar dhe kanë lënë gjumë në muzikën shqiptare.

U investua me emrin dhe reputacionin e saj për t’i dhuruar një piano të re Akademisë së Shkencave sepse i pëlqen të kontribuojë në vendlindjen e saj.

Është mbështetëse e veprave bamirëse duke kombinuar fuqinë shëruese të muzikës dhe mjekësisë. Pohon se dëshiron të ndihmojë sa më shumë njerëz, sidomos kur bëhet fjalë për Shqipërinë.

Kthimet e saj në atdhe janë rrugëtime aspak të lehta, të mbushura me mall, kujtime e përqafime. Ka nostalgji, por asnjë tundim për t’u rikthyer në Shqipëri.

Kur bëhet fjalë për familjen, Elida synon të ruajë një raport të drejtë si nënë e përkushtuar, dhe një gruaje në karrierë.

Kanë kaluar shumë vite nga koncerti i saj i parë brenda mureve të shtëpisë në Durrës, por Elida ruan të njëjtin shkëlqim në sytë me ngjyrën e detit pranë të cilit ajo u lind. Por edhe pse luan në sallat më prestigjoze të SHBA, pianistja klasike e vlerësuar për virtuozitetin e saj, duket se ka mbetur e njëjta vajzë me zërin që i dridhet nga emocionet dhe me tingujt e saj zgjonte fqinjët. Tanimë, Elida është e angazhuar të zgjojë ndërgjegjen e shqiptarëve për të reflektuar për krimet e komunizmit, dhe  t’u japë një dorë të rinjve, që nuk u jepet mundësia për t’ u bërë artistë në një vend ku mundësitë dhe hapësira për sukses është më e vogël se dhoma ku Elida studionte në fëmijëri.

EMISIONET