Biznesmeni 30 vjeçar Arjan Ferracaku, i ekzekutuar ditën e shtunë në periferi të Shkodrës mund të jetë vrarë gabimisht!

Një burim pranë grupit hetimor i tha Ora News, prej pistave që po hetohet është se nuk ka qenë Ai objektivi i sulmit me armë zjarri, por një nga personat e tjerë që e shoqërorin.

Megjithatë asgjë zyrtare deri tani për këtë fakt, pasi priten zhvillimet e hetimeve të cilat nxjerrin në dritë detaje te reja

Arjan Ferracaku, u qëllua me breshëri kallashnikovi nga një distancë prej rreth 80-100 metrash, ndërsa po stërvitej bashkë me disa persona të tjerë për një aktivitetet hipizmi që do të mbahet në Shtator në Velipojë.

Pranë tij mësohet se ishin të paktën dy persona, ndërsa të tjerë në një distancë më pas, por policia e Shkodrës ende nuk ka dhënë asnjë detaj zyrtar mbi dinamikën dhe personat dëshmitarë të ngjarjes.

Pista se 30 vjecari Ferracaku mund të jetë vrarë gabimisht është përforcuar edhe nga dëshmitë e familjarëve dhe rreth 20 personave të tjerë që janë marrë në pyetje!

Burime pranë grupit hetimor thanë se familjarët e 30 vjeçarit Ferracaku kanë deklaruar se nuk kanë patur konflikte me asnjë person, sikurse nuk e dinë motivin e ekzekutimit të tij.

I riu ishte baba i dy fëmijëve të mitur dhe nuk rezulton të ishte person problematik.

Ndërsa dy personat që ndodheshin pranë tij në kohën e sulmit, mësohet se kanë dhënë pak detaje në funksion të identifikimit të autorëve

Ata janë marrë në pyetje në prani të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit ku kanë thënë se vrasësit ishin të pamaskuar, por nuk kanë arritur ta identifikojnë pasi janë larguar kur kanë dëgjuar të shtënat.

Ndërsa pas dëshmisë mësohet se janë marrë në mbrojtje nga Policia e Shkodrës.

Arjan Ferracaku, njihej për disa aktiviteteve biznesi në qytetin e Shkodrës, ndaj nuk përjashtohen për momentin as pista të tjera që mund të lidhen me këto veprimtari.

Hetimet ndërkohe mësohet se janë intensive dhe në ndihmë të policisë së Shkodrës kanë shkuar edhe specialistë të drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shteti.

/Ora News.tv/